E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët rrëzojnë kërkesën për pension suplementar për profesorët

18/05/2005  Komisioni i Ekonomisë në Parlament nuk e miratoi dje projektligjin e propozuar nga një grup deputetësh për statusin e profesorit, ku parashtrohet përfitimi i një pensioni suplementar për pedagogët me titullin profesor dhe profesor i asociuar. U propozua që kjo shumë të mos kapërcente 75 për qind të pagës për ata që kanë titullin profesor dhe 40 për qind të pagës për ata që janë të asociuar. Aktualisht, pensioni i një profesori arrin deri në 14 mijë lekë të reja. Efekti financiar do të ishte 46 milionë lekë, të cilat ”nuk i gjendeshin” Buxhetit të Shtetit. Një grup parlamentarësh nisi punën për t'i dhënë profesorëve vendin dhe dinjitetin që meritojnë, nëpërmjet miratimit të "Statusit të Profesorit". Bëhet fjalë më konkretisht për një draft të përgatitur nga Universiteti i Tiranës dhe Akademia e Shkencave. Drafti është mbështetur nga deputetët e të dy partive të mëdha politike. Kjo ka qenë një prej kërkesave të grevës së pedagogëve, në dhjetor të vitit të kaluar, por zanafillën e ka që në muajin tetor. Grupi i deputetëve, mes të cilëve Paskal Milo, Skënder Gjinushi, Makbule Çeço, Bamir Topi etj., do të lobojë në Parlament në bazë të draftit të përpiluar në bashkërendim me Akademinë e Shkencave. Numri i tyre nuk është shumë i madh, sepse mesatarisht në vit mund të dalin në pension dy-tre profesorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›