Mançini: Kam frikë nga Kaljari
18/05/2005 Sot pasdite, në orën 17.30, Interi do të përballet me Kaljarin në garën e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së Italisë (në vajtje 1 : 1 me gola të Martins e Zolës). Pavarësisht rezultatit të favorshëm arritur në ndeshjen e parë, trajneri zikaltër Roberto Mançini nuk i zë besë Kaljarit: “Ajo e sotmja nuk është një ndeshje e lehtë, përkundrazi, unë kam frikë pikërisht faktin se jemi favoritë për t’u kualifikuar. Ne do të luajmë vetëm për fitore, sepse nuk mund ta bazojmë kualifikimin te barazimi pa gola. Kaljaritanët do të vijnë në ‘San Siro’ me qetësi të plotë, sepse nuk kanë asgjë për të humbur. Nuk duhet të bëjmë gabimin e madh t’i nënvleftësojmë, sepse do të ndëshkoheshim rëndë”. Përsa i përket formacionit, Mançini mendon sidomos për portën, ku pritet të luajë uruguajani Karini: “Në ndeshjen e vajtjes u soll shumë mirë. Do të vendos para ndeshjes se kush do të luajë, edhe për faktin se Toldo ka një problem të lehtë në njërin gju”. Kapitulli Adriano: braziliani ka muaj që e ka humbur rolin e fenomenit, duke u transformuar në një lojtar normal, pas një faze të parë të mrekullueshme: “Problemi është që një lojtar nuk mund të luajë dy vjet rresht pa bërë asnjë ditë pushim, sepse pastaj probleme të tilla janë të paevitueshme”, përfundon trajneri zikaltër.