Egbo edhe më pranë të kuqve
18/05/2005 Zërat për një rikthim në Shqipëri të ish-portierit të Tiranës, Emanuel Egbo, sa vijnë e shtohen. Madje, pritet që shumë shpejt nigeriani të udhëtojë drejt Tiranës. Por, duket se destinacioni i ardhshëm i Egbosë nuk do të jetë Tirana. E ardhmja e tij duket te skuadra e kuqe e kryeqytetit. Skuadra e Partizanit ka vuajtur jo pak mungesën e një portieri stabël në portë, në sezonin që po i drejtohet fundit. Kanë qenë të shumtë portierët e ndërruar nga të kuqtë në këtë sezon dhe rezultati ka qenë gjithnjë i njëjti, në kahun negativ. Kjo ka bërë që gjetja e një portieri cilësor të jetë një përparësi e merkatos së skuadrës së Partizanit. Janë përfolur disa emra, ku theksohen ata të Llanit, Shehit, por ai që duket më pranë skuadrës së kuqe, është ai i nigerianit, Emanuel Egbo. Sipas burimeve konfidenciale, pranë klubit “Partizani”, bëhet e ditur se presidenti Xhani ka patur kontakte gjatë kësaj kohe, me portierin Egbo. Dhe duket se gjërat kanë ecur për mirë. Tashmë pritet vetëm rikthimi i nigerianit në Shqipëri, për të filluar një aventurë të re në kryeqytet. I vetmi problem për të kuqtë duket se është dita e ardhjes së portierit pranë skuadrës. Presidenti i Partizanit, Xhani, së bashku me menaxherin e Egbos po përpiqen të gjejnë një mënyrë, e cila do të sjellë pa shumë probleme, lojtarin në Shqipëri. Pritet që portieri të bashkohet me Partizanin, pasi skuadra të mbarojë dhe pushimet e verës dhe më saktë në datën 4 korrik, kur të kuqtë do të startojnë dhe fazën e tyre përgatitore për sezonin e ardhshëm. Duhet theksuar se pas largimit nga skuadra e Tiranës, Egbo është aktivizuar në Egjipt, ku është aktivizuar me skuadrën e ish-presidentit bardheblu, El Sajed. Por, një martesë e tij në Shqipëri, duket se do ta sjellë përsëri nigerianin në vendin tonë, ku mendohet se do të nisë një tjetër aventurë në futbollin shqiptar, këtë herë me fanelën e kuqe të Partizanit. Në këtë transferim të mundshëm të tij te Partizani, një rol mund të kenë edhe marrëdhëniet shumë të mira të vetë nigerianit me trajnerin Mema dhe me trajnerin e trajnerëve të Partizanit, Astrit Nallbani.