E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ançeloti: Kjo ndeshje ka më shumë vlerë për ne

Karlo Ançeloti dëshiron që Milani i tij të fitojë derbin kundër Interit për vetë vlerën që ka kjo ndeshje për tifozerinë, por edhe më shumë për faktin se kuqezinjtë kërkojnë të kualifikohen në Ligën e Kampioneve. "Për ne kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, ndërsa për Interin më pak. Ne duam të hyjmë në Ligën e Kampioneve, duam të luajmë në një turne të rëndësishëm që na ka dhuruar shumë kënaqësi", u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se Kupat e Evropës kanë më shumë rëndësi se rivaliteti i dy skuadrave të të njëjtit qytet. Derbi mund t‘i dhurojë Interit titullin, ndërsa kuqezinjtë duhet të marrin medoemos një fitore për të ndjekur vendin e katërt, që mbahet nga Fiorentina, vetëm 2 pikë larg Milanit. "Duam të fitojmë më shumë terren. Për të hedhur një hap tjetër para duhet të mundim Interin që nuk ka dhuruar gjëra të mira gjatë kohëve të fundit për sa i përket kualitetit. Ata kanë arritur rezultate falë grintës dhe karakterit. Do të gjejmë përballë kundërshtarë shumë të fortë fizikisht, të rrezikshëm në goditjet standarde. Prandaj ne duhej të jemi të vëmendshëm. Gjatë kohëve të fundit ne i jemi kthyer lojës së bukur, rigjetëm formën në momentin më delikat të sezonit, jemi të bindur se mund të bëjmë mirë dhe ta fitojmë këtë ndeshje", deklaroi Ançeloti. Edhe braziliani Kaka është i të njëjtit mendim. "Nuk do t‘i heqim titullin Interit, por duam t‘i shtyjmë sa më shumë festën e fitores. Kjo edhe për faktin se na duhen tri pikë për Ligën e Kampioneve. Jemi në gjendje të mirë dhe mund të fitojmë, ndërsa unë shpresoj të shënoj ndaj zikaltërve", u shpreh mesfushori i Milanit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›