E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dede: Jam çuditur nga lista e Han

Nevil Dede nuk është përfshirë në listën e futbollistëve të grumbulluar nga trajneri Ari Han për ndeshjen që kombëtarja do të zhvillojë kundër Polonisë. Por vetë futbollisti e ka cilësuar këtë si normale, për vetë faktin se trajneri holandez nuk i dinte cilësitë e tij. Në një prononcim për "albaniasoccer.com", Dede ka treguar mendimet e tij rreth kësaj liste dhe faktit që ai nuk ishte përfshirë në planet e trajnerit. "Mosthirrja me skuadrën kombëtare nuk më ka mërzitur. Por mund të them se më ka habitur, thjesht nga pikëpamja personale. E kam thënë edhe më parë, Han është një trajner i sapoardhur në drejtimin e skuadrës dhe si çdo trajner i ri ka mendimet e veta se çfarë do të bëjë me skuadrën. Për këtë arsye, ai ndoshta ka menduar që unë nuk mund t‘i përshtatem lojës dhe ideve që ai ka, ndonëse nuk kemi biseduar. Ndoshta, pas një vështrimi të mëtejshëm të skuadrës dhe lojtarëve që i duhen ai edhe mund të ndryshojë mendje. Ai është trajneri i skuadrës dhe unë i respektoj vendimet e tij, pa asnjë ndikim personal, më pëlqejnë apo jo ato. Nuk besoj se është mosha arsyeja, sepse trajneri holandez ka aq eksperiencë dhe e di se mosha që kam unë nuk është aspak faktor ndikues nëse unë jam në gjendje fizike apo teknike. E njëjta situatë ka ndodhur me Brigel dhe ndryshoi me Bariç. Ndoshta ndryshon edhe me Han në të ardhmen. Ndonëse unë nuk jam në përbërje të saj, dëshiroj për të gjithë lojtarët e thirrur dhe stafin drejtues që të arrijnë sa më shumë rezultate pozitive që ta nderojnë vendin tonë dhe pse jo të zëmë një vend sa më të lartë në kualifikimet e radhës", deklaroi mbrojtësi që është aktivizuar si titullar gjatë të gjithë edicionit të kaluar të përfaqësueses kuqezi. Futbollisti, aktualisht, aktivizohet në kampionatin kinez, ku po luan rregullisht, pavarësisht disa dëmtimeve që ka pasur në fillimin e sezonit. Futbollisti ka treguar edhe eksperiencën e deritanishme në kampionatin kinez, si edhe formën që po kalon. "Rëndësi ka që dëmtimet nuk kanë qenë serioze dhe më kanë lejuar që të luaj dhe të stërvitem sistematikisht në seancat disaorëshe çdo ditë. Kemi skuadër të mirë, po na duhen 2-3 përforcime. Por edhe ndeshjet e para kanë qenë shumë të forta, pasi kemi luajtur me skuadra të cilat ose kanë qenë të renditura shumë lart në edicionin e kaluar, ose kanë qenë midis 4-5 më të fortave këtë sezon", tregoi Dede.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›