E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rajkard nuk mendon largimin nga Barça

Trajneri Frank Rajkard ka kërkuar që të gjitha diskutimet rreth të ardhmes në krye të skuadrës të lihen mënjanë dhe Barcelona të mendojë për ta mbyllur kampionatin në vendin e dytë. Eliminimi i katalanëve nga Liga e Kampioneve ka sjellë zërat për revolucion (duke përfshirë edhe ndryshim në stol), por holandezi është i përqendruar të marrë pikët maksimale nga katër takimet e mbetura në kampionat. "Punoj duke dhënë maksimumin e aftësive të mia për të përmbushur objektivin tonë, pra ta mbyllim kampionatin në vendin e dytë... Më pas do të shohim se çfarë ndodh", tha tekniku i Barçës, gjatë një konference për shtyp të organizuar dje. "Kur të kemi kohë do të flasim rreth kësaj çështjeje (të ardhmes time), por ky nuk është momenti i përshtatshëm. Jemi ende duke luftuar për krenarinë e këtij klubi dhe shpresojmë që ta mbyllim sezonin në formën tonë më të mirë". Asistenti personal i trajnerit "blaugrana", Xhil van Eile, kishte pohuar në forumin e tij se Rajkard do të largohej nga "Kamp Nou" pas disa javësh, por holandezi hodhi poshtë gjithçka. "Kjo deklaratë nuk është aspak e vërtetë dhe nëse do të kisha diçka për të thënë, do t‘ia kisha thënë Çikit (Begirishtajn), pasi kam shumë respekt për të. Nuk kam asnjë sekret ndaj njerëzve që po më ndihmojnë dhe e vetmja gjë ku jam i përqendruar është të arrijmë më të mirën për klubin në këto momente", pohoi ai. Edhe pse Barça nuk ka arritur të fitojë ndonjë titull për sezonin e dytë radhazi, Rajkard mendon se kjo nuk reflekton kualitetin e skuadrës. Holandezi beson se ata kanë vuajtur nga mungesa e fatit në të dyja trofetë ku u eliminuan në gjysmëfinale: Champions dhe Kupa e Mbretit. "Ndodh që të eliminohesh vetëm prej një goli, por me pak më shumë fat mund të kishim arritur në finale. Ajo që po them është se ndryshimi ndërmjet suksesit dhe dështimit nuk është aq i madh".

Ndërkohë, sipas mediave spanjolle, Hoze Murinjo ka refuzuar ofertën më të fundit të drejtuesve katalanë. Sipas "Marcas", ish-trajneri i Çelsit nuk ka pranuar opsionin ku ai do të ishte drejtuesi i stolit, ndërsa Pep Gardiola asistent i tij. Murinjo duket se nuk ka pranuar, pasi përzgjedhja e Guardiolës tregon se klubi nuk ka besim maksimal në aftësitë e tij. Gjithmonë sipas gazetës madrilene, tekniku luzitan ka prishur bisedimet me Barçën, edhe sepse është shumë pranë firmës me Interin. Ndërkohë, e përditshmja tjetër sportive, "As", ka bërë të ditur se kandidati kryesor për t‘u bërë pasuesi i Rajkard është Majkëll Laudrup, i cili aktualisht drejton Gedafen. Danezi ka lënë një kujtim të bukur në "Kamp Nou" dhe pritet që pas disa ditësh drejtuesit "blaugrana" të takohen me menaxherin e tij. Tjetër kandidat për stolin është edhe trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti. Lajmi është bërë i ditur nga radio "Katalunja", sipas të cilës alternativa e italianit mbështetet nga një pjesëtar i bordit drejtues, por pa përmendur asnjë emër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›