Ançeloti: Nuk do të ketë ndeshje shtesë
17/04/2005 Pas kualifikimit në Ligën e Kampioneve dhe polemikave të euroderbit, Ançeloti dhe Milani rinisin garën në kampionat. Sot pasdite, Milani do të ndeshet me Sienën, ndërkohë që duhen rekuperuar pikët e lëna në “San Siro” me Breshian. “Kemi entuziazëm dhe dëshirë për të bërë mirë. Dueli me Juven mbetet i pasigurtë, pavarësisht faktit se ne kemi më shumë ndeshje për të zhvilluar. Do të mbërrijmë në ndeshjen me Juventusin pak ditë pas gjysmëfinales të kthimit, ndaj shpresoj që të arrijmë një rezultat të mirë në Holandë”, thotë Ançeloti, i cili vazhdon me analizën e ndeshjeve të ardhshme: “Java që vjen, duke filluar që nga ndeshja e sotme, do të jetë themelore për kampionatin. Janë tre ndeshje të vështira dhe shumë të rëndësishme. Fizikisht mund të jemi pak të lodhur, por nga ana tjetër jemi në një moment të mirë psikologjik. Tani duhet vetëm të përmirësojmë cilësinë e lojës sonë, duke evituar gabime të thjeshta si në ndeshjen me Breshian”. Kundër Sienës nuk do të jetë Pirlo, por mund të mungojë edhe Sheva: “Edhe pa Pirlon kemi treguar se dimë të fitojmë. Tomason nuk është grumbulluar për shkak të një problemi në shpinë. Edhe Sheva nuk është shumë mirë, ndaj mund edhe të luajmë vetëm me një sulmues. Tani duket sikur gjithçka po na ecën mirë, por ka edhe një muaj akoma, ndaj duhet të bëjmë kujdes”, vazhdon Ançeloti, i cili lëshon një batutë edhe për PSV Eindhovenin: “Holandezët luajtën më mirë se Lioni, në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve dhe e merituan kualifikimin. PSV-ja nuk shkëlqen përsa i përket emrave të veçantë, por luan shumë mirë në grup dhe është shumë e organizuar”. Në mbyllje, një koment për 4 ndeshjet e dënimit që UEFA i ka dhënë Interit: “Për mendimin tim, Interi ka pasur fat, sepse UEFA zakonisht është shumë më e ashpër. Megjithatë, më duket e drejtë që Interi të vazhdojë të luajë në kupat e Evropës”.