E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mançini: Jemi të gjithë në provë

17/04/2005  Trajneri i Interit kërkon impenjim maksimal nga lojtarët që stërvit dhe kritikon UEFA- n për dënimin e fushës

Pas dështimit në Ligën e Kampioneve, kanë mbetur vetëm objektiva të dorës së dytë për sezonin e zikaltërve, por Roberto Mançini kërkon impenjim maksimal nga lojtarët e tij deri në ndeshjen e fundit të sezonit: “Duhen edhe 8 ndeshje deri në fund dhe të shohim sa pikë do t’ia dalim mbanë të mbledhim. Llogaritë do t’i bëjmë në fund, sepse kemi akoma edhe Kupën e Italisë. Unë dhe të gjithë lojtarët e dimë mirë se se do të jetë një periudhë shumë e rëndësishme për të ardhmen”. Mançini nuk ndihet i sigurtë dhe e rendit veten midis personave “në provim”: “Duhet të tregojmë të gjithë se jemi të përshtatshëm apo jo për projektet e së ardhmes. Pastaj, gjithçka mund të ndryshojë, trajner apo lojtar qoftë. Duhet të arrijmë dy objektivat që na kanë mbetur, për të mos e hedhur krejtësisht poshtë këtë sezon”. Ndërkaq, pas vendimit të UEFA-s për dënimin e fushës së Interit për 4 ndeshje me dyer të mbyllura, trajneri i zikaltërve, shpreh hapur pakënaqësinë e tij: “Katër ndeshje janë të ekzagjeruara, sidomos kur kemi parasysh që në këtë mes e pëson klubi, që nuk ka asnjë faj”. Pra, Mançini nuk ndryshon qëndrim dhe dënon UEFA- n për vendimin që ka dhënë, në vend që të dënojë huliganët që njollosën përgjithmonë derbin e së martës së kaluar. Gjithsesi, kampionati nuk ka mbaruar dhe Interi duhet të sigurojë vendin e tretë: “Pas kësaj humbje në Ligën e Kampioneve, duhet të shohim përpara. Kur hasen vështirësi, gjendet edhe dëshira për të bërë diçka më shumë në krahasim me më parë dhe për të punuar për të ardhmen. Që tani e deri në fund të sezonit duhet të punojmë shumë dhe të arrijmë rezultate të mira, duke filluar nga ndeshja me Kaljarin”, deklaron Mançini, në prag të ndeshjes së sotme kundër Kaljarit, ndërkohë që nuk jep ndonjë detaj të veçantë në lidhje me formacionin e sotëm, megjithëse nuk ka përjashtuar mundësinë që Kristian Vieri të niset titullar: “Vieri mund të luajë, edhe pse akoma nuk kam vendosur nëse nga minuta e parë apo nga stoli”. Në fund, Mançini flet edhe për presidentin Morati: “Besoj se kur je në vështirësi, duhet të tregohesh i fortë dhe Morati është treguar i tillë. Fjalët e tij na kanë dhënë besim. Edhe unë, një ditë pas humbjes u mendova gjatë dhe janë momente kur ndjen diçka të fortë dhe të veçantë. Pikërisht për këtë arsye duhet të japim më shumë, sepse grupi dallohet në momente të vështira”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›