E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kapelo: Nuk kam lojtarë

17/04/2005  Pas eliminimit nga Liga e Kampioneve, Juventusi i rikthehet kampionatit dhe sfidës për titull me Milanin. Trajneri i bardhezinjve, Fabio Kapelo, është i bindur se skuadra është gati të kthejë faqe: “Pas ndeshjes me Liverpulin, lojtarët ishin të zhgënjyer, por tani kemi rigjetur entuziazmin dhe humorin e duhur. Kundër Leçes nuk do të jetë e lehtë, edhe për faktin se kam shumë pak lojtarë në dispozicion dhe nuk mund të kryej shumë ndryshime”. Megjithatë, Kapelo është optimist për finalen e sezonit: “Lojtarët kanë rigjetur qetësinë. Me Liverpulin gabuam përgatitjen e garës, sepse hymë në fushë me mendimin se goli do të vinte herët a vonë, por minutat kalonin dhe goli nuk u duk. Bravo Liverpuli, por nëse do të kishim luajtur ne në atë mënyrë, do të na kishin quajtur ekip katenaçoje, si italianë që jemi”. Kapelo ka shprehur kënqësinë e tij edhe për dëshirën e Trezegesë për të qëndruar te Juventusi: “Është një sinjal i rëndësishëm, nëse dëshiron me të vërtetë të qëndrojë. Është një lojtar i rëndësishëm dhe besojmë shumë tek ai, sepse është shumë i zoti në zonën kundërshtare dhe shënon shumë gola, por për fat të keq dëmtimi në kavilje është më i rëndë sesa mendohej. Është një problem serioz për të, megjithëse shpresoj ta kem në disozicion për dy ndeshjet e fundit”. Më pas, trajneri i Juventusit shpreh shqetësimin e tij në prag të sfidës së sotme: “Leçja është një skuadër shumë e shpejtë dhe që luan gjithmonë në sulm, ndaj do të kem shumë vështirësi në ndërtimin e formacionit, pasi kam shumë pak lojtarë në dispozicion. Ndeshjet e fundit të Kombëtareve na dëmtuan shumë, pasi humbëm lojtarë të rëndësishëm si Emerson, Zebina, Trezege e Zalajeta. Tashmë do të jetë radha e lojtarëve si Apiah, i cili mund të jetë i rëndësishëm në këtë fund sezoni”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›