Përfundon sezoni i Trezegesë
17/04/2005 David Terzege do ta kujtojë këtë sezon si një nga më të pafatët e karrierës së tij me Juventusin. Pas një fillimi shumë të mirë, sulmuesi francez është detyruar t’i nënshtrohet një operacioni në shpatull. Një mungesë e gjatë, kthimi në fund të janarit dhe pastaj përsëri probleme fizike, këtë radhë në kaviljen e majtë. “Po kërkoj të shërohem plotësisht nga dëmtimi në kavilje dhe pastaj do të përgatitem për sezonin e ardhshëm. Nuk e di kur do të kthehem në stërvitje, sepse sapo provoj të stërvitem, kavilja më enjtet përsëri. Një gjë e tillë më ndodhi edhe para ndeshjes me Liverpulin, të mërkurën, ku dhimbja u shfaq sapo u sforcova. Tani nuk mundem as të mbështes këmbën në tokë, të shohim pas 10 ditësh. Është një vit ku gjithçka më ecën ters”, ka deklaruar Trezege ditën e djeshme, ndërkohë që deklaron edhe besnikërinë e tij ndaj Juventusit: “Dua të qëndroj këtu dhe të fitoj sa më shumë”. Megjithatë, bardhezinjtë janë gati të kthejnë faqe, sepse duket gjithmonë e më afër ardhja e Antonio Kasanos në fund të sezonit, ndërkohë që do të vijë edhe momenti i Adrian Mutusë, që pas pak ditësh përfundon skualifikimin e tij të gjatë. Përveç këtyre, në fund të sezonit mund të vijë edhe Fernando Morientes, i cili pëlqehet shumë nga Fabio Kapelo, kështu që duket gjithnjë e më i afërt largimi i Trezegesë.