E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tenton vetëvrasjen me çiften e babait

17/04/2005  Sipas mjekëve, 23-vjeçarja ende nuk e ka kaluar rrezikun

KORÇE - Një 23-vjeçare, nga rrethi i Devollit tenton të vrasë veten me armë gjahu. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Vidohovë, rreth 80 km nga qyteti i Korçës.

Jolanda Topi, për të realizuar vetëvrasjen, është mbyllur në dhomën e saj, ku kishte marrë më vete fshehurazi edhe armën e gjahut, çiften e të atit. Sapo është dëgjuar një e shtënë, familjarët kanë vrapuar për të hyrë me forcë në dhomën e vajzës, e cila ishte rrëzuar në dysheme e plagosur. Prindërit e kanë çuar të plagosurën në spitalin civil të Bilishtit, ku dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore.

Nuk është mundësuar përmirësimi i shëndetit të vajzës, pasi gjendja vinte dhe rëndohej nga plaga në ije. Për këtë arsye 23- vjeçarja ditën tjetër është dërguar me urgjencë në spitalin e Korçës, ku dhe i është nënshtruar një operacioni mjaft të vështirë.

Sipas bluzave të bardha në spital, Jolanda ndodhet në gjendje koma, pasi gjatë operacionit i është hequr shpretka, madje edhe një pjesë e zorrëve, pasi plumbi kishte prekur barkun. Nuk dihet ende se si do të reagojë organizmi i Jolandës pas plagëve të marra në trup, gjithsesi në gjendjen e saj shëndetësore nuk vihet re asnjë lloj përmirësimi.

Ndërkohë nuk bëhet ende i ditur saktësisht motivi që e ka shtyrë 23-vjeçaren për të ndërmarrë këtë akt, që mund të jetë vdekjeprurëse për të. Ndërsa sipas të afërmve, nuk përjashtohet mundësia se gjithçka ka të bëjë me motive sentimentale.

Materialet në lidhje me këtë çështje i kanë kaluar prokurorisë për sqarimin e plotë të rrrethanave të ngjarjes. Kohët e fundit vrasjet dhe vetëvrasjet në rrethin e Korçës janë shtuar. Pak ditë më parë, një grua helmoi bashkëshortin e saj, ndërkohë që një 15-vjeçare tentoi të vetëvritet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›