E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ançeloti: Nuk e njoh "Special One"

Në fillim është fotografuar, duke reklamuar bluzën e "Blues"-ave me emrin e tij, më pas ka përshëndetur të kaluarën. "‘Good luck‘ Milan. Unë jam këtu për të fituar Champions League". Me një anglishte të turbullt, Karlo Ançeloti është prezantuar në ditën e tij të parë zyrtare te Çelsi, duke i uruar "shumë fat" skuadrës që tashmë drejtohet nga Leonardo, por edhe duke i sfiduar menjëherë të gjithë. Ish-trajneri kuqezi ka zbuluar vullnetin e tij për të çuar sa më lart klubin e Abramoviç, duke thënë se "mezi po priste të fillonte aventurën e tij të re angleze".

Kapiteni Terri

Fytyra e re e Premier Leagues, në një konferencë me pyetje e përgjigje, shpjegoi hap pas hapi mënyrën e mbërritjes së tij në krye të "Blues"-ave. Ançeloti ka nënvizuar gjithashtu edhe çështjet më të përfolura të londinezëve. Duke filluar që nga Xhon Terri. "Ai ka thënë Ançeloti, është simbol i kësaj skuadre". Për të shtuar më pas: "Nuk e di ende në do të jetë kapiten". Por më pas pohon se, ishte një shaka: "Mua më pëlqen të bëj shaka në konferencën e shtypit". Shpërthejnë të qeshurat. Një prezantim, në të cilin ai e kontrollon shumë mirë situatën, që shpesh karakterizohet nga pauza të gjata dhe të heshtura. Por Ançeloti ka theksuar: "Dëshiroj të kem një kapiten si Terri, shtoi ai, është shumë i ngjashëm me Maldinin për sa i përket profesionalitetit. Do të jetë lideri më i mirë i Çelsit. Kam folur me të një muaj më parë, unë dëshiroj të kem një marrëdhënie të mirë me kapitenin e skuadrës. Dëshiroj që të qëndrojë. Nuk ka asnjë çmim për të, sepse do të jetë gjithmonë kapiten".

Hoze Murinjo

"I don‘t know Special One". "Dueli në distancë me Hoze Murinjon vazhdon: Jo më si rivalë në derbin e Milanos, por në krahasimin e rezultateve te klubi londinez, të cilin trajneri portugez e ka drejtuar më parë. "Nuk e njoh ‘Special One‘-in. Nuk më pëlqejnë krahasimet me trajnerë të tjerë", ka thënë Ançeloti pa përmendur emrin e Murinjos, por duke i përgjigjur pikërisht një pyetjeje në lidhje me portugezin. Më parë ai ishte përgjigjur në anglisht se nuk e njihte "Special One?-in. "I respektoj të gjithë kolegët e mi, por unë kam mënyrën time të të punuarit", ka vazhduar më pas Ançeloti.

Skuadrës së madhe

Ide të qartë për merkaton. "Çelsi nuk ka nevojë për ndryshime të mëdha, është një skuadër e madhe, e cila ka zhvilluar pesë gjysmëfinale të Champions League në gjashtë vite. Është e qartë që duhet të punojmë për t‘u përmirësuar, por Çelsi është që tani një skuadër e madhe", ka nënvizuar ai. Pasuesi i Gus Hidink shtoi më pas: "Të jesh trajneri i pestë në pesë vite nuk më shqetëson, madje, unë jam i lumtur që jam këtu dhe, që do të filloj një eksperiencë të re, më pëlqen puna ime. Kam gjetur një klub të shkëlqyer, një staf të mirë. Kam gjithçka për të qenë i lumtur".

Pirlo e Pato

Të paevitueshme pyetjet për Pirlon dhe Paton. "Tani janë të Milanit, nuk ia vlen të flas. Deko e Karvajo? Do të marrim vendimin e duhur", ka thënë ai. Megjithatë, ka lajmëruar blerjen e Juri Zhirkov, yllit rus të Cska Moskës, që ishte në shënjestrën e Milanit.

Milani

Ish-trajneri kuqezi uron Milanin: "‘Good luck‘ Milan. Unë jam këtu për të fituar Champions League. Shumë fat për skuadrën, që tashmë drejtohet nga braziliani Leonardo". Por më pas ai i ka sfiduar të gjithë, duke theksuar se me Çelsin synon trofeun më prestigjioz të Europës



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›