Kievo mban Bogdanin
E ardhmja e Erjon Bogdanit duket se do të jetë te Kievo. Sulmuesi shqiptar ka edhe një vit kontratë me skuadrën veroneze, por pas mbylljes së sezonit ai u përfol mes futbollistëve të cilët do të përfundonin në merkaton e verës. Gjithsesi, sipas një lajmi të botuar te gazeta italiane "L‘Arena", që është shumë pranë skuadrës së Kievos, drejtuesit e lartë të klubit kanë vendosur jo vetëm që ta mbajnë Bogdanin, por madje e shikojnë atë si një titullar të padiskutueshëm në ekipin e sezonit të ardhshëm. Një tjetër futbollist i Kombëtares shqiptare, Gilman Lika, më në fund ka vendosur të ndryshojë skuadër, duke kaluar nga Haçetepe te Boluspor, në kategorinë e dytë turke. Sikurse ka bërë të ditur dje menaxheri i tij, Sokol Haxhia, "Gilmani do të përfitojë në dy vjet një shumë prej 250 mijë dollarësh amerikanë në vit".