E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masimo Morati: ëndërroj Champions, i trembem Juves

Juventusi i Diegos cilësohet si kundërshtari më i fortë në garën për Serinë A, që do të sillte titullin e pestë radhazi në Itali, ndërsa Liga e Kampioneve është ëndrra e madhe e sezonit të ri. Masimo Morati duket i përqendruar në aventurën e re të Interit dhe mendon se me blerjet e Militos dhe Tiago Motës, skuadra e Murinjos është edhe më e fortë se në sezonin e kaluar. "Ëndërroj të fitojmë Championsin, ndërsa në kampionat i trembem Juves", ishte thelbi i intervistës që Morati ka dhënë për "Corriere dello Sport". "Triumfi në aktivitetin ku luajnë skuadrat më të forta në Europë mbetet një objektiv i madh, por për ta fituar kupën duhet të kesh edhe fat. Nuk është aspak e lehtë të shpallesh kampion". Paralelisht me zhgënjimet në Europë, zikaltërit mbeten favoritët absolutë në Itali. "Këtë vit Interi është shumë i fortë. Ruajtëm kontingjentin e sezonit të kaluar dhe afruam Militon e Motën. Më duket se jemi në pozita mjaft të mira për edicionin e ri të Serisë A. Kundërshtari më i rrezikshëm në garën për titullin e pestë radhazi? Nuk e di, por me siguri që Juventusi ka lëvizur mjaft mirë në merkato dhe është një skuadër e rrezikshme", pohoi presidenti. Morati foli edhe për merkaton e skuadrës së tij, duke i mbyllur derën afrimeve të Dekos e Karvajos, ndërsa konfirmoi simpatinë për Arnautoviç: "Karvajo e Deko janë dy lojtarë të mëdhenj, dy kampionë, por mendoj se momentalisht nuk na nevojiten blerje të tjera. Sa për Arnautoviç, mund të them se na pëlqen, por për fat të keq ka një dëmtim në këmbë. Tuente e ka të qartë ofertën tonë për këtë lojtar".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›