Ançeloti: Penallti qesharake
22/05/2005 Në fund të ndeshjes me Palermon (3 : 3) që i dha titullin edhe matematikisht Juventusit, Karlo Ançeloti shfaqet para gazetarëve shumë i zemëruar: “Besoj se e meritonim fitoren, por një penallti qesharake e rihapi ndeshjen dhe përfundoi barazim. Skuadra luajti shumë mirë për të paktën një orë dhe bëri atë që mundi. Milani 2? Ishte zgjedhja më logjike, duke parë që kemi përpara finalen e Ligës së Kampioneve”. Në lidhje me episodin aq të diskutuar të penalltisë, ka folur edhe Hernan Krespo: “Do doja ta shihja edhe një herë penalltinë që i dhanë Palermos, por edhe një tjetër që ishte në favorin tim, por nuk u akordua. Megjithatë, urojmë Juventusin pët titullin, megjithëse na vjen shumë keq që përfundoi në këtë mënyrë. Publiku? Na ka qëndruar afër gjatë gjithë sezonit dhe ishte e drejtë ta falënderonim”, deklaroi sulmuesi argjentinas, i cili foli edhe për finalen e Ligës së Kampioneve: “Unë titullar? Nuk më përket mua të përgjigjem, por mund të them se jam mirë. Shpresoj të mbledhim frytet e punës së bërë gjatë vitit”. Ndërkaq, Adriano Galiani i bën komplimenta Juves dhe mendon për Ligën e Kampioneve: “E kemi humbur titullin në takimin direkt, ndaj i bëjmë komplimenta Juves. Tani duhet të mendojmë për finalen e Ligës së Kampioneve, që është edhe objektivi ynë kryesor, jo vetëm këtë vit, por edhe të ardhshmin”.