E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dule: Objektivi ynë është integrimi në BE

22/05/2005  PBDNJ miraton 100 kandidatët

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, theksoi dje se objektivi themelor i kësaj partie gjatë katër viteve në vazhdim do të mbetet integrimi i vendit në familjen evropiane. PBDNJ-ja mblodhi Kongresin e saj elektoral, gjatë të cilit kryetari Dule prezantoi platformën e kësaj partie, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare dhe u miratua lista e 100 kandidatëve për deputetë. "Me zgjedhjet e 3 korrikut ne duhet të mbyllim përfundimisht ciklin politik post komunist, për të hapur një cikël të ri, atë euroatlantik", u shpreh Dule. Sipas tij, "gjatë 14 viteve të fundit, politika shqiptare është karakterizuar nga konfliktualiteti dhe nga polarizimi, por pas kësaj, bosht kryesor i programit të saj duhet të jetë integrimi i vendit në BE". Duke u ndalur te prioritetet e programit politik të partisë së tij, Dule premtoi ndërtimin e një shteti të fuqishëm social, përmes rritjes së kapaciteteve në luftë kundër varfërisë, papunësisë, barazimit të pensioneve të qytetit me ato të fshatit. Nga ana tjetër kryetari i Omonias, Jani Jani, është shprehur se në Shqipëri nuk janë plotësuar ende të drejtat e minoriteteve. Ndaj ai ka kërkuar më shumë angazhim nga shteti shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›