E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Zonja” Feston në heshtje

22/05/2005  Ndërkohë që tifozët festonin nëpër rrugët e Torinos, Juventusi vazhdon heshtjen e shtypit

Ka qenë një festë e çuditshme ajo e Juventusit, që është shpallur kampion për të 28-ën herë të premten, pa luajtur. Heshtja për shtyp, e vendosur nga klubi bardhezi, vazhdon dhe lojtarët kanë parë ndeshjen mes Milanit e Palermos dhe pastaj kanë festuar, pa organizuar ndonjë festë të veçantë, por të ndarë në grupe të vegjël nëpër shtëpitë e njëri - tjetrit. Pra, ka qenë një festë krejt ndryshe nga ato të zakonshmet. Kur fitohen titujt, të vijnë menjëherë në mendje skuadrat që bëjnë xhiro nëpër fushë, të ndjekur nga tifozë në kërkim të një bluze apo një kujtimi çfarëdo. Pastaj vijnë “lumenjtë” e shampanjës në dhomat e zhveshjes, që në të shumtën e rasteve “përmbytin” gazetarët që duhet të merren me këtë ngjarje dhe duhet të regjistrojnë komentet e lojtarëve. Për këtë titull të fituar nga Juventusi, nuk është parë asgjë e tillë, megjithëse mund të jetë shtyrë gjithçka për sot në Livorno, por shija do të jetë krejt tjetër. Asnjë darkë e përbashkët, sepse skuadra është ndarë në grupe të vogla: në shtëpinë e ganezit Apiah ishin Ibrahimoviç, Blazi e Kapo, ndërsa uruguajanët Zalajeta, Montero e Olivera kishin formuar një grup më vete. Kanavaro e Ferrara e kanë kaluar së bashku, si napoletanë të vërtetë, ndërsa Fabio Kapelo ka festuar në familje. Ndërkaq, Moxhi nuk është dukur gjëkundi, ndonëse kishte prenotur në restorantin e tij të zakonshëm. Edhe tifozët kanë dalë nëpër rrugë, por festa nuk ka qenë shumë e madhe, ndoshta edhe për faktin se idhujt e tyre nuk ishin në fushë, si zakonisht, por përpara televizorit, për të bërë tifozllëk për Palermon. Përveç kësaj, edhe sheshi San Karlo, vend historik i grumbullimit të tifozëve bardhezinj, ka qenë i bllokuar për punime, kështu që festa është zhvilluar spontane nëpër rrugët e qytetit. Qindra flamuj bardhezinj dhe karvane tifozësh kanë vërshuar në sheshin Kastelo, ku është festuar deri pas mesit të natës. Mes tifozerisë, është parë hipur në një makinë edhe Zlatan Ibrahimoviç, por me siguri Moxhi do ta falë këtë radhë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›