E Hënë, 2 Nëntor 2026

"PS më e mira për të integruar vendin në BE"

22/05/2005  Nano prezanton kandidaturat në Rrogozhinë

Kryeministri Fatos Nano ka kërkuar dje mbështetjen e elektoratit të Rrogozhinës për kandidatët që PS ka paraqitur në këtë zonë. Sipas tij, asnjë forcë tjetër politike nuk ka arritur të bëjë më shumë se PS për ta afruar Shqipërinë gjithnjë e më pranë Evropës moderne. “Në krahasim me të gjithë konkurrentët e tjerë të opozitës, dhe për shkak të këtij koalicioni të së majtës evropiane në Shqipëri, ne jemi ata që kemi gabuar më pak, jemi vetëkorrigjuar më shumë, dhe prandaj jemi më të mirët për ta futur Shqipërinë në Evropë”, tha Nano. Kryesocialisti theksoi se në këtë zonë, me potenciale të mëdha zhvillimi, ka lulëzuar sipërmarrja private dhe publike. “Janë rreth 750 subjekte të regjistruara që prodhojnë rritje të qëndrueshme. Xhiro mesatare vjetore e tyre rritet gati 10% në vit dhe duke shlyer detyrimet fiskale ato mbështesin në mënyrë të qëndrueshme pavarësinë financiare të bashkive dhe komunave lokale“, tha Nano, ndërsa ka përmendur 234 km autostradë në akset më të rëndësishme të zhvillimit dhe të integrimit të vendit që na lidhin me botën dhe 570 km rrugë urbane që kanë përmirësuar jetën juaj dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe sipërmarrësve në mjediset e reja. “Ne kemi të drejtë të përmendim se kemi 12-fishuar investimet publike, duke siguruar edhe qindra milionë euro mbështetje prej donatorëve dhe aleatëve”, tha Nano. Ai ka premtuar se PS do të vazhdojë të konsolidojë dhe pasurojë investimin dhe programin e madh për rehabilitimin e 21 kopshteve fëmijësh, 25 shkollave fillore, 26 shkollave 9-vjeçare, 4 të mesmeve si dhe 32 qendrave shëndetësore të zonës. “Do të vazhdojmë edhe për ju të sigurojmë 100% të librave shkollore falas për fëmijët në shkollat 9-vjeçare, do të dyfishojmë pagat e mësuesve në shkollat e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm, si dhe do të fusim kompjuterat dhe lidhjen me internet me botën e ekonomisë së re”, tha Nano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›