E Hënë, 2 Nëntor 2026

Konkurrentët kanë kaluar në sulm të pa moral

22/05/2005  Anastas Angjeli thekson punësimin dhe shtrimin e rrugëve

Si i vlerësoni kandidatët që keni përballë?

Në radhë të parë, unë e shoh kandidimin tim si pjesë të punës time me elektoratin, angazhimit tim politik dhe njerëzor që kam marrë përballë tyre. Të qenit deputet, për mua ka qenë dhe është një detyrim i madh ndaj njerëzve, ndaj zgjedhësve, prandaj kam punuar vashdimisht për të qenë pranë tyre, për të zgjidhur problemet e tyre të përditshme. Në figurën morale përballë zgjedhësve do të dëshiroja që kandidatët, që janë përballë meje të kishin si argument programet, vizionet e zhvillimit të vendit veçanërisht ndaj zonës elektorale dhe elektoratit. Kjo do të ishte mënyra më e mirë dhe më e ndershme e ballafaqimit dhe zgjedhjes. Fushata ime do të bazohet mbi programe dhe projekte konkrete, ashtu siç e kam dëshmuar deri tani me punën time gjatë 8 vjetëve, në zonën 38. Në përvojën time elektorale është dëshmuar zhvillimi i një fushate elektorale të bazuar në Kushtetutën e RSH, Kodin Elektoral dhe aktet e tjera ligjore, që lidhen me të. Kam zhvilluar një fushatë model, të qytetëruar dhe bashkëkohore, e cila më ka siguruar fitoren në dy mandate dhe do të ma sigurojë atë edhe në këto zgjedhje. Unë dua t’ju siguroj se një fushatë të tillë kam zhvilluar dhe do të zhvilloj edhe këtë radhë, deri më 3 korrik, ditën e fitores sonë, të fitores së socialistëve. Do të dëshiroja që këtë angazhim ta merrnin edhe kundërshtaret e mi në këtë garë elektorale. Por, për fat të keq, nga ndjekja e kujdesshme që i kam bërë veprimeve dhe deklaratave të tyre, gjatë këtyre ditëve, në vend të shpalosjes së programeve kanë kaluar në një sulm të paprinciptë shpifjesh, sharjesh, dhe në veprime agresive e amorale të papara. Me siguri kjo buron nga mënyra se si secili paraqet vetveten para elektoratit dhe programin e partisë që përfaqëson. Puna që kam bërë, premtimet e mbajtura, komunikimi i përhershëm me zgjedhësit, programi i PS që përfaqësojë, programi që kemi për 4 vitet ardhshme, si dhe sukseset në karrierën politike, janë pikat ku mbështetet fitorja ime në këto zgjedhje.

Cilat do të jenë prioritetet tuaja dhe të PS-së?

Prioritetet tona do të jenë komuniteti, familja, të rinjtë, të moshuarit, intelektualët, punësimi, infrastruktura, rrugë të reja, kanalizime, ujësjellësa, energji, shkolla, kopshte, shëndetësi, shtrirja e rrjetit të telefonisë, internet dhe teknologji të përparuar, legalizim, urbanizim. Programi im mbështetet në programin e PS, në projektet konkrete të realizuara gjatë 8 vjetëve të qeverisjes socialiste dhe 8 vjet punë dhe komunikim me banorët e zonës nr.38. Në tetë vitet e qeverisjes, socialistët kanë zbatuar një program të suksesshëm reformash, që kanë sjellë forcimin e shtetit dhe të demokracisë dhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ndryshimet në zonën nr.38 janë të dukshme në të gjithë elementët dhe sektorët e zhvillimit. Le të kujtojmë se nga viti 1992 deri në vitin 1997 nuk është bërë asnjë investim në zonë në infrastrukurë, shëndetësi, arsim. Ndërsa nga viti 1998 deri më sot janë bërë: Investime në ndërtim rrugësh të reja, 950 milionë lekë. Investime në ndërtim ujesjellësash, 500 milionë lekë. Investime në kanalizime, 600 milionë lekë. Investime në rrjetin elektrik, 100 milionë lekë. Sic e shikoni edhe vetë, është shumë i madh numri i rrugëve të ndërtuara, të rikonstruktuara dhe të riparuara, po ashtu i shkollave, i ujësjellësave. Përmendim disa: Shtrirja e rrjetit të tensionit të lartë 20 kVA, në 90% të Zonës Elektorale nr.38, nga 30% që ka qenë më parë. Vendosja e 30 transformatorëve të rinj me kapacitet 20 kVA. Investime në kopshte, 22 milionë. Investime në shkolla 9-vjecare, 356 milionë. Investime në shkolla të mesme, 420 milionë. U ndërtuan e u rikonstruktuan 15 kopshte, shkolla 9-vjeçare e të mesme. Kjo është pjesë e punës së nisur, që nuk është ndërprerë në asnjë çast, që po vazhdon edhe tani, kur po sistemohen e asfaltohen shumë rrugë, ujësjellësa, kanalizime e shkolla të reja. Një rrugë më shumë, një shkollë më shumë, një kopsht fëmijësh më shumë, një qendër shëndetësore më shumë, një ambient i gjelbëruar më shumë, një i punësuar më shumë, këto na kanë ndihmuar dhe na ndihmojne të gjithëve së bashku të jemi më mirë, të ecim përpara duke kërkuar gjithmonë, e realizuar, zhvillimin e zonës tonë, të Tiranës tonë.

Partia Socialiste është alternativa e suksesit e zhvillimit. Mandati ynë i tretë është mandati i Evropës i zhvillimit dhe modernizimit të vendit tonë.Premtimet Angjeli

Në zonën 38, prioritetet tona do të jenë, komuniteti, familja, të rinjtë, të moshuarit, intelektualët, punësimi, zhvillimi i infrastrukturës, rrugë të reja, kanalizime, ujësjellesa, energji, shkolla, kopshte, shëndetësi, shtrirje e rrjetit të telefonisë, internet dhe teknologji të përparuar, legalizim, urbanizim.

Do të ketë investime në projekte të afërta në rrugët:

Rr. “Shyqyri Ishmi”, rr. “Zoja Çurre”, segmenti që bashkon rr. “Petro Nini Luarasi” me rr. “Mihal Grameno

Vazhdimi i rrugës "Budi", krijimi i një unaze të zonës, duke e lidhur me Senatoriumin.

Rr. “Shyqyri Ishmi

Rr. “Zoja Çurre”, segmenti që bashkon rr. “Petro Nini Luarasi” me rr. “Mihal Grameno”, asfaltim, gjerësia 6 m, gjatësia 150 m.

Rruga në Sauk, pranë fshatit SOS

Sistemimi i rrugëve të tjera te “3 Vëllezrit Kondi”

Do të ketë gjithashtu:

Ndërhyrje në sistemin e kanalizimeve.

Një projekt mjaft ambicioz për telefonizimin e zonës, duke shtuar numrin e abonentëve në Sauk , “Tre Vëllezrit Kondi” dhe Senatorium

Ndërtimi i një çerdhe dhe kopshti për femijë te “3 Vëllezrit Kondi”

Sistemim dhe ndërtim i hapësirave të gjelbërta në shërbim të komunitetit.

Kënde lojërash për fëmijë.

Kënde sportive.

Salla interneti me shërbime bashkëkohore në shkolla.

Vëmendje të veçantë problemeve sociale, punësimit, intelektualëve të diplomuarëve rishtas.

Kush është Anastas Angjeli

Anastas Angjeli ka lindur më 6 maj 1956, në Sarandë. Në vitin 1980, mbaroi studimet për ekonomi-financë, në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Në vitet 1981-82, ka punuar si ekonomist finance në N.I.Ushqimore dhe në degën e Bankës në Sarandë. Më vonë, ka pasur një karrierë intensive pedagogjike e shkencore. Në 1982-98, ka punuar si pedagog në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë. Në vitet 1991-92, ka kryer specializim pasuniversitar për Financat Publike, pranë Universitetit të Barit (Itali). Është Doktor i Shkencave Ekonomike qysh nga viti 1987 dhe ka marrë titullin Profesor, në vitin 1998. Është autor i shumë punimeve shkencore – libra e artikuj të botuara në organe të ndryshme shkencore, brenda e jashtë vendit. Ka përfaqësuar vendin tonë në institucione ndërkombëtare.

Prof. Dr. Anastas Angjeli ka pasur një karrierë të pasur politike. Ai është anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partise Socialiste të Shqipërisë qysh me themelimin e saj në 1991. Në periudhën janar–shkurt 1991, ka punuar si zv.ministër i Financave dhe në shkurt–qershor 1991, si ministër i Financave. Në vitet 1992-96, ka qenë deputet në legjislaturën e XIII të Kuvendit të Shqipërisë. Në 1996-1998, ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Në vitin 1998, ka qenë ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale dhe në periudhen tetor 1998-shkurt 2002, ministër i Financave. Qysh nga viti 2001 është deputet i legjislaturës së XVI të Kuvendit të Shqipërisë dhe qysh nga dhjetori 2003 deri sot, është ministër i Ekonomisë.

Është i martuar me dy fëmijë.

Ka dhënë një kontribut të shquar, veçanërisht në përpunimin dhe zbatimin e politikave dhe të reformës fiskale, si dhe për formulimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik e Shoqëror të vendit, gjë që është vlerësuar mjaft nga ekspertë vendas e ndërkombëtarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›