E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Dushku rrezikon të sjellë destabilitet politik"

22/05/2005  Ilir Meta kërkon reagim ndaj marrëveshjeve të PD-së dhe PS-së

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka paralajmëruar destabilitet politik, në rast se PD dhe PS nuk do të heqin dorë nga fenomeni i "Dushkut", në votimin e 3 korrikut. Sipas Ilir Metës, nuk është e drejtë që një një parti politike t'i bëjë thirrje elektoratit që të mbështesë një tjetër forcë. Në këtë qëndrim, Meta është mbështetur dhe në raportet e ndërkombëtarëve, që kanë kritikuar fenomenin "Dushk". “Thirrjet publike të bëra ditët e fundit nga drejtues të forcave të ndryshme politike, për të deformuar e keqpërdorur vullnetin politik të votuesve, nëpërmjet ”Fenomenit të Dushkut” dhe aplikimit të ”Zonave të Lira”, rrezikon të sjellë një parlament, përbërja e të cilit nuk përputhet me përfaqësimin real politik të vendit. Përvoja ndërkombëtare dhe për më tepër aplikimi i këtyre fenomeneve antikushtetuese në proceset zgjedhore shqiptare, kanë provuar se në të tilla raste, mospërputhja midis përfaqësimit politik në parlament dhe vullnetit real të popullit, sjell destabilitet dhe institucione të paqëndrushme", tha Meta.

Kërkesa

Kreu i LSI-së ka kërkuar prej elektoratit dhe gjithë faktorëve politik të reagojnë ndaj Dushkut, për të pranuar vetëm zgjedhje demokratike, që do të sjellin përfaqësimin real të partive në parlament. "Ftoj të gjithë faktorët politik dhe shoqëror të ngrihen kundër këtij morali, dhe kundër këtyre përpjekjeve destruktive që, përveç shkeljes së Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, synojnë shkatërrimin e procesit zgjedhor me pasoja shumë të dëmshme për zhvillimin dhe integrimin e vendit”, tha kreu i LSI. Meta ka hedhur poshtë mundësinë e një bashkëpunimi paszgjedhor mes LSI dhe PD-së. "Vota për LSI, nuk është votë as për të mbajtur në pushtet monopolistët që drejtojnë sot, shtetin dhe qeverinë, as për të rikthyer në pushtet zotin Berisha, me gjithë taborin revanshist që ai përfaqëon. Vota për LSI-në është votë për t’u ndarë nga tranzicioni 15-vjeçar që përfaqësojnë tashmë dy partitë e vjetra, me gjithë moralin e tyre, tërësisht të vjetër, që rezulton fare qartë edhe në këtë përpjekje që po bëjnë për të komprometuar ndershmërinë e procesit zgjedhor, nëpërmjet aplikimit të ”Fenomenit të Dushkut”, tha Meta. Sipas tij, LSI i ka objektivat e saj shumë të qarta, dhe sikurse e kam përmendur edhe më parë është e bindur se do të jetë forca e parë në mazhoritar.

Ankesa

Drejtuesit e LSI-së kanë kërkuar riparimin e listave të zgjedhësve. Sipas tyre, në rast se procesi nuk do të kryhet në kohë, ato do të përbëjnë premisë për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve. LSI deklaron se ka konstatuar mosregjistrime të të gjithë zgjedhësve, ndarje të familjeve në disa qendra votimi, ka dublime emrash, duke i shënuar nga dy herë dhe ka gabime në shkrimin e emrave dhe ditëlindjeve. "Mendojmë se këto të meta janë bërë për dy arsye: Me qëllim, pasi mungojnë dhe janë ngatërruar emrat e disa personave, të cilët njihen për qëndrimin e tyre politik, ose nga pakujdesia, por gjithsesi edhe ky veprim është i dënueshëm, sepse me paratë e taksapaguesve shqiptarë paguhen qindra njerëz, të cilët kanë përgjegjësi për të kryer detyrat, ashtu siç i parashikon ligji", thuhet në deklaratën për shtyp.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›