Mançini: Asnjë problem me Adrianon
22/05/2005 Pavarësisht atmosferës së përmalluar që do të mbizotërojë sot në “Marasi”, Roberto Mançini nuk ka ndërmend t’i bëjë ndonjë nder Sampdorias “së tij”: “Nuk do të jemi figurantë në fushë vetëm për faktin se tashmë nuk kemi më motive. Duam të vazhdojmë me serinë pozitive dhe të marrim tre pikët, edhe pse ata janë në kërkim të kualifikimit të Ligës së Kampioneve”. Në Xhenoa do të kthehet titullar Adriano dhe në lidhje me brazilianin, Mançini dëshiron t’u japë fund zërave për probleme midis tyre: “Nga Spanja vijnë zëra se Adriano mund të largohet? Nuk flitet vetëm atje, sepse edhe këtu dëgjohen shumë gjëra në lidhje me këtë argument. E kam thënë edhe më parë dhe e përsëris: nuk ka asgjë të vërtetë dhe midis meje dhe Adrianos nuk ka ndodhur asgjë. Adriano është ulur disa herë në stol dhe si gjithë lojtarët, zemërohet kur nuk luan. Por kjo nuk do të thotë që jemi zënë dhe që për këtë arsye mund të lërë Interin, për mua kjo është absurde. Për fat të keq, presione të tilla ekzistojnë vetëm te Interi, sepse pak javë më parë edhe Shevçenko u zemërua për zëvendësimin, por gjithçka mbaroi atë ditë. Po t’i ndodhte Interit do të ishte fundi i botës, por tashmë jam mësuar”. Në fund, trajneri zikaltër lëshon edhe një batutë për Juventusin kampion: “E kanë merituar titullin dhe ndryshe nga ç’thuhet, organika e tyre nuk është inferiore ndaj asaj të Interit e Milanit. Kapelo ka bërë një punë të shkëlqyer, por një meritë të madhe kanë lojtarët dhe klubi”. Ndërkaq, në lidhje me grumbullimin në Kombëtare, vetë Adriano i ka kërkuar drejtuesve të Brazilit ta lejojnë të luajë finalen e Kupës së Italisë: “Dua të luaj në fianle dhe shpresoj që federata braziliane dhe Interi të gjejnë një marrëveshje, në mënyrë që unë të qëndroj në Itali”.