Ançeloti: Protagonist deri në fund
26/04/2005 Në prag të sfidës së parë gjysmëfinale në Ligën e Kampioneve, trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti, nuk ka ndërmend aspak të ulë moralin e skuadrës së tij. Fjalët e tij të para kanë hedhur menjëherë dritë në kujdesin që kuqezinjë duhet të tregojnë nga euforia e të qenit superiorë. “Nuk do të kushtëzohemi nga fakti se jemi ne favoritë për të fituar, ka thënë Ançeloti. Tensioni nuk është aspak i vogël dhe prandaj mendoj se gjithçka do të vendoset përfundimisht në Eindhoven”. Trajneri i holandezëve, Gus Hidinik, në Botërorin 2002 ka drejtuar përfaqësuesen e Koresë së Jugut dhe italianët nuk mund të harrojnë kurrë eliminimin e papritur të Italisë nga ky kompeticion i rëndësishëm ndërkombëtar. Megjithatë, duket se Ançeloti nuk kërkon të inkurajojë lojtarët e tij, me mendjen te skualifikimi i hidhur. “Tani duam që kjo sfidë të kthehet në diçka krejt të kundërt, ka shtuar Ançeloti. Në atë periudhë kohe ishim vënë nën presion prej atmosferës së krijuar dhe gjyqtarit të takimit. Mbi të gjitha, unë nuk kam asgjë kundër Hidink, i cili më duket një tip simpatik. Sidoqoftë, Milani do të jetë protagonist deri në fund. Do të jetë një gjysmëfinale e rëndësishme, por ne nuk do të fiksohemi vetëm nga fakti i superioritetit në fushë. Ditën e sotme nuk do të vendoset asgjë e re, sepse në Eindhoven do të mësojmë kualifikuesin për në finalen e madhe. Ne kemi një eksperiencë të madhe mbi supe në Ligën e Kampioneve dhe prandaj, do të sillemi po njësoj si në të kaluarën tonë. Nga ana tjetër, PSV-ja më duket një skuadër e mirëorganizuar dhe deri tani ka treguar një nivel të jashtëzakonshëm në kampionatin holandez. Nuk iu mungon organizimi në mbrojtje dhe mbi të gjitha janë në gjendje që të shfrytëzojnë kundërsulmin me lojtarë shumë të shpejtë. Prandaj detyra jonë kryesore do të jetë që të sulmojmë me shumë forca, por pa u çekuilibruar në repartet e tjera”.