E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përparësia dhe domosdoshmëria e së ardhmes

26/04/2005  E kaluara, e tashmja, e ardhmja mund të thuhet se janë fjalët më të përdorshme e më të kuptueshme për të gjithë. Nuk ka asgjë më të thjeshtë për çdo kënd sesa kuptimësia e fjalëve: qëparë, tani, pastaj; dje, sot, nesër e të tjera variante të dimensioneve kohore. Të njëjtën gjë do të thoshim edhe për fjalët që shprehin vendndodhjen, apo orientimin hapësinor; e kush është ai që nuk di se ç’do të thotë: këtu, atje, përpara, prapa, majtas, djathtas. Fëmijës i duhet të stërvitet që shumë herët në jetën e tij për të kapur kuptimin e këtyre fjalëve e për të ndarë njërën nga tjera; atij i thonë “Eja këtu!”, “Mos shko atje!”, “Tani duhet të hash”, “Do të shkosh pastaj te lodrat”, “Nesër duhet të shkosh në kopsht” etj etj…

Filozofë e psikologë kanë thënë se koha dhe hapësira janë dy kategoritë kryesore, nëpër të cilat është i detyruar të kalojë çdo lloj artikulimi njerëzor. Duhet thënë se për shumicën prej tyre koha është kategori më e privilegjuar se hapësira, sepse ajo cilësohet si karakterisika më thelbësore e shpirtit, ose e unit të thellë njerëzor, mjafton të kujtohet këtu Kant dhe Freud, apo vepra gjeniale e Heidegger. Qenia më e thellë njerëzore nuk është veçse një përpjekje për të vendosur eksperiencat e jetuara në rregull kohor. Por, nuk do të ndalemi këtu në këto çështje, të cilat edhe pse esenciale dalin jashtë vëmendjes sonë të tanishme, ngaqë thelbi i diskutimeve të tilla përqëndrohet në thellësitë më personale të njerëzores, ndërkohë që këtu duam të tërheqim vëmendjen për një formulim tjetër të kohores, një formulim që po bëhet përherë e më domethënës, për arsyen e thjeshtë sepse i takon kohës komunitare, sociale, kohës së të gjithëve.

Interpretimi politik i kohës

Për ç’arësye duhet që politika të artikulojë kohën? ǒmund t’i duhej koha politikës? Një sociolog i shquar (Emil Durkheim) ka thënë se kategoria e kohës (dhe hapësirës) formësohet si e tillë vetëm në shoqëri, është pra kategori sociale, jo thjesht dhe vetëm pronë e shpirtit individual njerëzor. Në këtë kuptim, politikës koha do t’i interesonte për sa kohë që ajo formulohet në një mënyre të caktuar nga shoqëria përkatëse, që është e ndryshme nga sa e formulon atë një shoqëri tjetër. Psh., sa për hipotezë ilustruese, nëse koha për shoqërinë shqiptare do të konceptohej në një mënyrë të atillë që do të privilegjonte të tashmen ndër dimensionet e tjera kohore, atëherë dhe politika jonë do të interesohej për të tashmen në mënyrë të privilegjuar, për të bërë më të mirën e mundshme për shoqërinë që përfaqëson. Por, ne nuk do të arrijmë kaq larg, sepse duam të mendojmë përkundrazi, se shoqërorja nuk mund të mendohet si asgjësuese e individuales, dhe se politika është pikërisht një nga sferat (ndoshta e vetmja) që artikulon veprimtarinë e saj nëpër një lëvizje elipsoidale, dmth., me dy qendra njëlloj dhe njëkohësisht të vlefshme: shoqëria dhe individi, të cilat brenda politikës (si praktikë dhe teori) nuk duhet të zhbëjnë njëra-tjetrën. Koha e brendshme e individit mund të jetë e ndryshme nga ajo e shoqërisë si e tërë dhe politika duhet t’i bëjë ato të bashkekzistojnë pa shkatërruar asnjërën prej tyre. Po t’i kthehemi përsëri në mënyrë hipotetike individit dhe shoqërisë shiqptare do të thoshim se psh., individit mund t’i interesojë që të mos shoh në të kaluarën (psh., komuniste) ndërsa shoqërisë nuk do t’i interesonte një gjë e tillë për faktin se në këtë mënyrë do të humbiste gjurmët e vetvetes. Në një rast të tillë, një politikë elipsoidale do të përpiqej të sintetizonte pa cënuar, psh., do të kishte hequr e zëmë monumentin e diktatorit nga sheshi kryesor, që të mos fyente individin që nuk do të shohi të kaluarën, por do ta kish ruajtur atë në ndonjë muze, ku individi nuk është i detyruar të hyjë, pra nuk cënohet, e në këtë mënyrë i bën shërbim edhe shoqërisë…

Po kush ia jep këtë të drejtë politikës, politikanëve, me një fjalë shtetit? Kujt ia detyrojnë ata luksin e të qenit sintetizues jo-asgjësues, çfarë i detyron ata të sillen detyrimisht prudentë, pra politikisht korrekt?

Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, politikës i është dashur domosdoshmërisht të artikulojë mbi kohën, sepse janë pikërisht dimensionet kohore që i japin legjitimitetin politikës, së paku asaj lloj politike që sot cilësohet si më e mira.

Në ç’mënyrë?

Fillesa e legjitimimit të politikës është argumentuar të gjendet në të kaluarën, në një moment hipotetik të kohës, kur njeriu i gjendur përballë rrezikut për jëtën në radhë të parë, dhe pamundësisë për të përparuar në radhë të dytë, duhet të mbrohet nga tjetri që i shfaqet si t’i ishte një ujk përballë vetes. Kjo do të thotë se në një moment në të kaluarën njeriu vendosi me vullnet të lirë të dalë nga gjendja natyrore për të krijuar shtetin me synimin e vetëm qe shteti të jetë në gjendje të mbrojë interesat egoiste të secilit. Pra, sepse ekziston e kaluara, ekziston shteti, sepse kontrata shoqërore që i jep jetë shtetit është pronë e së kaluarës.

Ndërkohë, shtyllat bazë të veprimtarisë së shtetit kontraktualist që nuk mund të jenë veçse mbrojtja me çdo kusht e jetës dhe integritetit individual (përkthyer në të drejtat e njeriut) dhe sigurimi me çdo kusht i mundësive të përshtatshme për përsosje dhe mirëqenie (shanset e barabarta dhe sistemi i tregut), të cilat çdo shtet ka për detyrë t’i kryej në të tashmen, janë legjitime dhe të detyrueshme vetëm sepse nuk janë gjë tjetër veçse respektim i kontratës së lidhur në një moment në të kaluarën. Pra, veprimtaria e tashme legjitimohet vetëm përmes së shkuarës…

Por, më e bukura e politikës së sotme është se vëmendja e teorisë politike është përqëndruar në dimensionin e të ardhmes, duke pretenduar se e ardhmja është në fakt ajo që legjitimon të shkuarën dhe rrjedhimisht edhe të tashmen! E gjithë kjo mund të duket krejt çudi, por teoricienët përpiqen të tregojnë se nuk kemi të bëjmë aspak me çudira.

Ideja është se individi është i lidhur përjetësisht me shoqërinë, dhe se fakti që një individ konkret hyn dhe del nga jeta nuk ndikon aspak në domosdoshmërinë e organizimit në shtet. Shteti nuk është pjellë e një teke të momentit, momenti hipotetik i kontratës, i pozicionuar diku në të kaluarën e largët, merr jëtë jo për hir të kësaj të kaluare në vetvete, por në saj të së ardhmes. Kontrata ka vlerë detyruese vetëm nëse legjitimiteti i saj zhvendoset në të ardhmen, pra vetëm nëse presupozohet prej saj se shteti është i domosdoshëm, dhe se individi përjetësisht (në çdo brezni në të ardhmen) duhet të rinovojë kontratën me të, gjë që do të thotë se shteti përjetësisht do të ndërhyje për shtetasit e vetë. Nëse vërtet shtyllat e veprimtarisë së shtetit legjitim janë mbrojta e jetës dhe intergritetit personal, dhe rritja e mirëqenies të çdo njërit përmes sigurimit të shansve të barabarta, ato janë të tilla përsa kohë që shteti do t’i duhet të ndërhyjë çdo herë (në të ardhmen) për të rivendosur ekuilibrin. Nëse shteti do të ishte mjaftuar me ndërhyrjen e tij vetëm në momentin e fillimit, për të startuar këdo pjesëtar të shoqërisë me shanse të barabarta, duke funksionuar për hir të së shkuarës, atëherë, dikur në të ardhmen ky shtet edhe pse trashëgues dhe mbrojtës i kontratës sociale do të ishte ilegjitim, sepse do të kishte pjellë pabarazi të theksuara në të ardhmen (brezat e tjerë duke përfituar ose jo prej pronave të trashëguara psh., nuk do të startonin më me shanse të barabarta) dhe do të kishte prishur kështu kontratën. Kjo do të thotë se çdo kontratë që sjellë në jetë shtetin është legjitime vetëm nëse synon të mbrojë mirëqenien dhe shanset e barabarta në çdo moment në të ardhmen.

Legjitmiteti i shtetit varet pra nga dimensioni i së ardhmes…

Të gjitha këto janë teori, por ç’vlerë do të kishte të bërit teori nëse qëllimi nuk do të ishte interpretimi i konkretes dhe aktuales?

“Mbro të Ardhmen”!

Të gjithë e dinë tashmë se çfarë dhe kë përfaqëson kjo shprehje, por këtu do të përpiqemi për një moment t’i harrojmë detajet, edhe pse për shumëkënd kjo do të dukej e pamundur, për shkak të klimës relativisht të nxehtë ku na referon vetë shprehja. Do ta zëmë sikur dimë minimumin: “Mbro të Ardhmen”, përbën një sllogan elektoral të një partie politike, që është pjesë e garës elektorale në përpjekje për të (ri)marrë pushtetin, dhe se ky sllogan na hyn në punë vetëm për sa kohë që na ndihmon për të qartësuar në rrafsh më praktik teorinë e parashtruar më lart.

Përse duhet të trajtojmë pikërisht këtë sllogan e jo ndonjë tjetër? Po pikërisht për faktin sepse në të furnizohet termi “e ardhme”, termi i cili na mori kaq shumë kohë më sipër. Por jo vetëm kaq!

Sllogani është ndërtuar në trajtën e një përbashkimi konçiz (për hir të së vërtetës, më bukur dhe më e gjetur se kaq s’kish ku të shkonte më) të trajtës udhërore (imperative): “Mbro” me një dimenson kohor: “ të Ardhmen”.

Më lart u përpoqëm të tregonim se për teoritë e sotme “e ardhmja” nuk është thjesht një përmasë kohore, thjesht dhe vetëm individuale. Ajo ishte në fakt dimensioni prej të cilit rridhte vetë legjitimiteti i një shteti demokratik, ajo bëhet një përmasë politike. Sipas kësaj logjike, fakti që një sllogan politik të përmbajë në vetvete të ardhmen nuk ka pse të tingëllojë as i rrallë, as i çuditshëm, e as problematik, përkundrazi, ka shumë gjasa që pikërisht përmendja e të ardhmes e ngazëllen elektoratin dhe i ofron forcës politike përkatëse më shumë shanse për sukses…

Problemi shfaqet pikërisht në momentin kur dimensioni i së ardhmes bashkohet me një trajtë urdhërore të tipit “mbro”. Zakonisht, trajtat urdhërore apo imperativët merren pa vërtetim, në kuptimin që e vetmja marrëdhënie midis atij që e formulon urdhrin dhe atij që e pëson atë ështe bindja. Pra, edhe ai që urdhëron e di që më parë se i urdhëruari duhet të bindet, edhe ai që pëson urdhrin e di që urdhëruesi kërkon prej tij bindje. Poqese për njerin prej të dy palëve konsensusi mbi bindjen nuk merret i mirëqenë, urdhri nuk ka asnjë vlerë. Nëse do të shkonim më tej, do të duhej të thonim se për nga natyra e tyre imperativët pretendohen të jenë mundësisht të vlefshëm për të gjithë njëlloj e mundësisht njëlloj në të gjitha kohërat.

Në këtë këndvështrim, formulimi “mbro të ardhmen” do të donte të thoshte, çdokush duhet të mbrojë të ardhmen në të gjitha kohërat. Dhe ky formulim është problematik, pikërisht sepse është një formulim politik, e aq më tepër elektoral.

Për të paktën dy arsye:

1) I formuluar në trajtë imperative, kjo formulë i drejtohet të gjithëve njëlloj dhe presupozon të jetë e vlefshme për të gjithë njëlloj. Si rrjedhim, përmes saj synohet që forca politike që e ka bërë të vetën slloganin të votohet nga të gjithë (ose nga një shumicë dërrmuese), dmth., të votohet edhe nga elektorati që në kushte të tjera do t’i kish dhënë votën e tij ndonjë force tjetër. Pra, elektorati gjendet përpra situates mbro të ardhmen! Nëse nuk e mbron, mbetesh në të kaluarën. Për më tepër, në kushtet kur të gjithë synojnë të ardhmen, ti mendon se të mbetesh në të kaluarën është më mirë për ty, dakord, por për këtë zgjedhjen tënde të veçantë përgjegjësia bie mbi ty, sepse unë të paralajmërova që duhej të bëje të kundërtën, siç bënë gjithë të tjerët. Nëse shtojmë këtu edhe elementin "bindje", që i bashkangjitet domosdoshmërisht imperativave, kuptohet qartë se forca politike që përdor këtë sllogan elektoral, synon të vërë në dukje "high expectations" të saj se do të votohet së paku në masë (nëse jo unanimisht). Shumëkush do të thoshte se kemi të bëjmë me garë elektorale dhe se secila parti dëshiron me të drejtë të fitojë sa më shumë elementë nga elektorati i mundshëm i palës kundërshtare. Sigurisht! Por a është kjo dëshirë e justifikueshme për t'ju drejtuar elektoratit në trajtën urdhërore, sikur ti (forca politike) të ishe totalisht dhe krejtësisht autoriteti i vetëm i aftë për të ofruar ardhmëri? Në kushtet e një shoqërie, që pretendon demokraci dhe të ashtuquajturën "fair play", asnjë grupim politik nuk duhet të vinte në sferën e debatit publik me idenë e asgjësimit me çdo kusht të hapësirës së rezervuar për kundërshtarin, por përkundrazi me idenë se kundërshtari është detyrimisht përkundër teje, dhe se kundërshtia e tij i jep vlerë vetë hapësirës publike. Teza jote mbi të ardhmen merr vërtetësi vetëm nëse edhe kundërshtari do të kishte mundësi të formulonte me mënyrën e tij variantin e tij mbi po të njëjtën tezë. Duke i thënë elektoratit se ti mbron të ardhmen duke më votuar mua, detyrimisht ke hequr atij të drejtën të mbrojë po të njëjtën gjë (të ardhmen) duke votuar dikë tjetër.

Sllogane të tilla, që i referohen të ardhmes, nuk janë aspak të reja në fushatat elektorale, mjafton të përmendim variantin e garës presidenciale në Poloni, ku Aleksander Kvasnievski (fituesi) u paraqit me slloganin "Le të zgjedhim të ardhmen", në RFJ, Partia Socialiste serbe paraqitet me slloganin "të shkojmë përpara", apo "vazhdojmë rrugën", apo gara presidenciale në SHBA, ku Klinton paraqitet me "te ndërtojmë një urë për shekullin e 21", etj., por në të gjithë këto shembuj trajta urdhërore duket qartazi se mungon.

2) Arsyeja e dytë përkon me thelbin e këtij shkrimi, pra pikërisht me faktin tek i cili u ndalëm më lartë: e ardhmja sot për sot në shkencën politike është burimi i vëtë legjitimitetit të shtetit, ajo nuk është një dimension thjesht dhe vetëm kohor. E ardhmja nuk është e lidhur vetëm me shpresën, ajo është, si edhe u theksua më sipër, faktori për hir të së cilës vetë shteti, si koncept, merr jetë. Në kushtet e një sistemi demokratik, mbrojtja e të ardhmes nuk është puna e një force të vetme politike, përkundrazi ajo është burimi i legjitimitetit të të gjitha partive, cilado qoftë ngjyresa e tyre politike. Nuk janë partitë që krijojnë të ardhmen, por është e ardhmja që krijon partitë. Sepse mbrojtja e të ardhmes është thelbi i kontratës që individi lidh me shtetin, në të gjitha kohërat, pavarësisht partive që hyjnë e dalin prej pushtetit.

Për të gjitha këto arsye, sllogani "Mbro të Ardhmen" nëse i takon domosdoshmërisht vetëm një forcë politike, e cila synon shpërblim vetiak, në trajtë votash për këtë sllogan, është politikisht (demokratikisht) jo korrekt për të mos thënë ilegjitim, sepse nëse votat merren për hir të të ardhmes dhe e ardhmja është e pafund, a mos do të thotë kjo se forca politike në fjalë duhet të jetë pafundësisht në pushtet, gjithmonë për hir të së ardhmes? Në të kundërtën, nëse do të pretendohej se sllogani është korrekt, atëherë ai nuk duhej t’i takonte vetëm njerës nga forcat, përkundrazi ky sllogan do t'i shërbente po aq edhe forcave të tjera kundështare.

Pra, si përfundim, nëse forca politike që ka formuluar slloganin ka patur synim korrektësinë, asaj i intereson shpërndarja e votave te partitë e tjera krahas asaj vetë.

A është kështu vërtet, apo përkundrazi synohet të grumbullohen të gjitha votat vetëm te një parti? A është synuar vërtetë "e ardhmja" në tërë rëndësinë e saj politike, apo është përdorur ajo si një mjet tepër sygjestionues, për hir të përfitimit të thjeshtë partiak? A i shërben praktikisht “e ardhmja” shtetit si koncept apo shtetit si socialist, demokrat, social-demokrat, republikan etj., ngjyrime politike?

Shënim

Në një nga shfaqjet më të fundit, “Mbro të ardhmen” ishte pasuruar me shtojcën “duke marrë pjesë në qeverisje”, por mbetet për t’u verifikuar nëse kjo ishte një shtojcë rastësore, apo pjesë integrale e slloganit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›