E Hënë, 2 Nëntor 2026

Milan-PSV, nuk lejohen gabimet

26/04/2005  Në gjysmëfinalen e parë, janë kuqezinjtë që nisen si favoritë, por edhe taktikat e Hidink nuk mbeten prapa

Për kapitenin e Milanit, Paolo Maldini, nuk mund të harrohet kurrsesi, surpriza e trajnerit Gus Hidink në kohën, kur ai drejtonte përfaqësuesen e Koresë së Jugut në Botërorin 2006. Megjithatë, tani në prag të sfidës gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, në “San Siro”, duket se skuadra italiane nuk ka për ta harruar një fakt të tillë. Rekordi i fundit prej 126 ndeshjesh me Kombëtaren, për Maldinin ka qenë pikërisht Botërori 2002, ku skuadra aziatike drejtuar nga trajneri holandez eliminoi italianët, në një nga sfidat më shokuese të futbollit ndërkombëtar. Ajo natë ka qenë e dhimbshme për Maldinin, por kësaj radhe në formacionin e kuqezinjve mbizotëron vetëm optimizmi. Përpara syve të Hidink, skuadra e tij duket tepër inferiore, në krahasim me Milanin e madh. Si për çudi, në skuadrën holandeze janë dy elementë të rëndësishëm, të cilët mund t’i rikujtojnë Maldinit dhe Gatuzos, natën e humbjes së papritur. Në formacionin titullar të PSV-s, aktivizohen mbrojtësi koreanojugor, Jung-Pio Li dhe mesfushori Ji-Sung Park. Por, të dy lojtarët aziatikë, kësaj radhe nuk do të kenë përballë mbrojtësin e Milanit, Alesandro Nesta. Ky i fundit është i skualifikuar dhe prandaj nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e sotme. Përveç mungesës së Nestës, për Ançelotin një tjetër shqetësim do të jetë edhe Jaap Stam. Mbrojtësi holandez vazhdon të mbetet ende në dyshim, pasi vetë forma e tij fizike nuk premton akoma për një takim me 90 minuta të plota. Nëse edhe ai nuk do të ishte në dispozicion të Ançelotit, atëherë në garë për t’u pozicionuar në qendër të mbrojtjes do të jenë Dario Simiç dhe Bili Kostakurta. Nga ana tjetër, trajneri kuqezi duhet të presë edhe për gjendjen fizike të Andrea Pirlos, i cili ka shfaqur probleme jo të vogla në gju. Megjithatë, zëvendësuesi i tij ideal mund të jetë Masimo Ambrozini që sidoqoftë nuk do të ofronte fantazinë dhe sigurinë e treguar shpesh nga ish-mesfushori i Breshias. Në sfidën e fundjavës me Parmën, në Serinë A, është shfaqur edhe Superpipo, i cili pritet ta nisë përballjen me holandezët nga pankina. Ndërkaq skuadra e Hidink, meqenëse ka siguruar titullin kampion në Holandë, iu ka dhënë më shumë kohë për pushim, disa lojtarëve të rëndësishëm, si Vilfred Bouma, Li Jung-Pio, Aleks dhe Johan Vogel. Sulmuesi Jan Venegor of Heselink është akoma duke u rekuperuar prej një tërheqjeje muskulare, por pritet që të jetë i gatshëm për sfidën e sotme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›