E Hënë, 2 Nëntor 2026

Komisioni nis verifikimin e listave

26/04/2005  Komisioni i posaçëm për monitorimin e procesit zgjedhor, ka miratuar dje tri grupe pune, që do të nisin verifikimin e listave të zgjedhësve. Në takimin e zhvilluar dje është theksuar se komisioni nuk do të ketë rol hetimi, por do të organizojë një studim, ku do të vërehet se sa është realizuar regjistri i zgjedhësve. Ndërsa në komision kanë raportuar disa prej krerëve të bashkisë, që kanë deklaruar përfundimin e procesit paraprak të regjistrimit dhe publikimin e listave të votuesve. Po dje, në Elbasan ka nisur puna për studimin e listave. Në këtë qytet janë ngritur 5 grupet e para për verifikimin e listave të përkohshme në rajonet e qytetit të Elbasanit. Në këto komisione paraprake, që do të mbulojnë 5 rajonet e qytetit, do të marrin pjesë anëtarë të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Gjana ka deklaruar se ka marrë në dorë edhe një numër ankesash të depozituara nga krytari i Partisë Socialiste në Elbasan, Agim Leka. "Është normale që të ketë ankesa dhe probleme me listat", është shprehur ai, pasi këto janë të përkohshme, ndaj dhe të gjitha pasaktësitë do të shikohen. "Në bazë të ligjit dhe të Kodit Zgjedhor do të vendosim edhe veprimet e mëtejshme, ndërsa komisionet e ngritura do të bëjnë punën e tyre për ta lehtësuar votimin në qendrën dhe me numrin rendor të përcaktuar", tha Gjana. Ndërkohë, deputeti i Partisë Socialiste, Durim Hushi, ka ngritur shqetësimin për heqjen e emrave të votuesve nga listat e votimit. Sipas tij, në çdo qendër votimi mungojnë 100 zgjedhës dhe kjo do të thotë shumë për një proces, ku pjesmarrja është shumë e rëndësishme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›