E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano, do ulim TVSH-në dhe sigurimet shoqërore

26/04/2005  Dita e Forumit të Ekonomisë ka qenë me fat për biznesin, i cili ka marrë disa premtime njëherësh. Kryeministri dhe dy ministrat e Financave dhe të Ekonomisë, kanë ruajtur ”surprizat zgjedhore” për biznesin, duke i plotësuar në një ditë kërkesat që u kanë refuzuar prej vitesh. Kryeministri Nano ka “çuditur” biznesin, duke vendosur të ulë TVSH-në, kur të paktën deri në paketën e fundit fiskale, kërkesa është hedhur poshtë nga qeveria. Argumentet e një viti më parë, që nuk toleronin uljen e TVSH–së kanë rënë dhe, tashmë qeveria kërkon opinionin e biznesit për të reduktuar ose përshkallëzuar TVSH–në. “Ne jemi këtu për t’u konsultuar me ju për uljen e nivelit të taksës mbi vlerën e shtuar nga 20%, aktualisht pa e përshkallëzuar atë apo diferencimi i TVSH-së, sipas produkteve dhe sektorëve të tregut”, ka deklaruar Kryeministri Nano. Jo vetëm kaq, por Kryeministri Nano ka shkuar më tej me politikat lehtësuese fiskale, duke hedhur dhe idenë e uljes së taksës së sigurimeve shoqërore. ”E kam fjalën veçanërisht për marrëdhëniet që lidhen me sigurimet shoqërore, se barra e lartë legalisht e kontributeve për sigurime shoqërore mbi punëdhënësit dhe punëmarrësit do të shoqërohet me efikasitet dhe me funksionim të administratës publike që ushtron kontrollin, mbledh kontributet dhe për pasojë siguron një gjendje të drejtë në treg, një gjendje konkurrimi të drejtë midis subjekteve, veçanërisht drejtësi sociale për të ardhmen për të punësuarit e sotëm”, ka sqaruar biznesin Kryeministri Nano në lidhje me reduktimin e dy taksave që kërkohen prej kohësh nga komuniteti i biznesit. Por duket se në çdo fjalë të mbajtur nga zyrtarët e lartë, ka patur premtime zgjedhore. Kështu duket, pasi kanë studiuar mirë financat, ministri i Financave ka mbështetur premtimet e Kryeministrit, duke kujtuar se paga më e ulët do të jetë 106 dollarë dhe se mjekët dhe mësuesit nuk do të diskriminohen më me paga të ulëta, por do t’u dyfishohen rrogat. Premtimet e stafit të lartë të qeverisë, të bërë në Ditën e Ekonomisë, i kanë ngjarë më shumë një fushate të ashpër zgjedhore, ku secila palë tenton të fitojë mbështetjen e biznesit. Por duket se shumë nga premtimet ishin teorikisht të njohura për biznesin dhe ngjanin me strategjinë e KOP-it për uljen e taksave. Por Malaj ka nxituar të kundërshtojë idenë, duke deklaruar se “ulja e konsiderueshme e taksave dhe rritja e pakontrolluar e shpenzimeve buxhetore mund të çojnë në përkeqësim të deficitit buxhetor dhe të deficitit publik dhe kjo mund të çojë në kriza ekonomike e financiare në të ardhmen”. Kështu, Malaj ka pohuar se politikat e KOP-it nuk janë konstruktive dhe se mënyra se si ata mendojnë të reduktojnë tarifat në sistemin fiskal, janë vetëvrasje për ekonominë. Por nga ana tjetër, duket se ulja e TVSH–së apo përshkallëzimi i saj, si dhe ulja e tarifës së sigurimeve shoqërore, janë të afishuara prej kohësh në strategjinë ekonomike të KOP-it.

Ekonomia, çfarë është bërë deri në 2004-ën

Ministrit Angjeli i ka takuar detyra t’i bëjë biznesit një ekspoze të arritjeve në fushën ekonomike gjatë qeverisjes socialiste. Sipas ministrit të Ekonomisë, sfida që ekonomia shqiptare është duke kaluar, është promovimi i produkteve “Made in Albania” dhe përballimi me sukses i tregjeve të huaja nga eksportet vendase. “Sfidat e programit tonë qeverisës për zhvillimin e sektorit privat kanë konsistuar në politikat për përmirësimin e klimës së zhvillimit të biznesit, nxitjes së investimeve të huaja direkte dhe rritjes e fuqizimit të SME-ve, si dhe liberalizimit të tregtisë dhe nxitjes së eksporteve, mbështetjes për një zhvillim të ekuilibruar ndërmjet rajoneve të vendit. Angjeli ka kujtuar se emrat e gjigandëve të mëdhenj të sipërmarrjeve në botë, kanë ardhur në Shqipëri gjatë qeverisjes socialiste. “Emra të tillë si ‘Raiffeisen bank’, ‘Hochtief’, ‘General Motors’, ‘Lockheed Martin’, ‘COCA-COLA’, VODAFONE etj., janë sugjestionues jo vetëm për vende të vegjël siç është Shqipëria”, tha Angjeli. Ndërkaq duke iu referuar të dhënave statistikore që flasin për nivelin e IHD në pesë vitet e fundit, vihet re se në vitin 2004, pra vitin e fundit, të ardhurat nga IHD kanë kapur shifrën më të lartë të arritur ndonjëherë në Shqipëri, në 341 Mln USD. Numri i kompanive të huaja që operon në Shqipëri arrin në 1755, të cilat kanë punësuar rreth 4400 vetë. Rezulton se sektori i SME-ve në Shqipëri kontribuon me mbi 75% të GDP-së dhe 62% në punësim. Në degët prodhuese, industri dhe ndërtim, janë angazhuar rreth 51% të të punësuarve. Sektorët ekonomikë në të cilët SME-të janë më aktive, janë tregtia me 48%, shërbimet me 22%, transporti me 15% dhe industria me 10%. Numërohen rreth 52.000 ndërmarrje ekonomike aktive, nga të cilat 99% janë ndërmarrje mikro, të vogla e të mesme, të cilat përfshijnë ndërmarrjet nga 1-80 punonjës. Shkalla e lindshmërisë së ndërmarrjeve aktive, në total në vitin 2003 është 17.6%, d.m.th. rreth 6% më e lartë se në vitin 2002, ose rreth 9 mijë biznese të reja. Gjithashtu, sipas të dhënave paraprake të INSTAT për vitin 2004, shkalla e lindshmërisë së ndërmarrjeve të reja është mbi 7500 biznese të reja. Në harkun kohor 2001-2004, eksportet janë rritur mesatarisht rreth 24%. Në vitin 2004 ato arritën vlerën prej 605 milionë USD. Me këto tempe pritet që në vitin 2005 të shkojnë rreth 670 milionë USD.

Ministri e Financave

Do të dyfishojmë pagat e mësuesve dhe mjekëve

Do të kemi pagë minimale 106 dollarë

Do të ulim papunësinë 10 për qind

Do ulim varfërinë 50 për qind

Do financojmë ndërtimin e rrugëve dhe ujësjellësave

Ministri e Ekonomisë

Rritje e SME-ve deri në 8 mijë në vit

Rritje të IHD në vlerë mesatarisht në vit mbi 200 Mln USD

Rritje të eksporteve në nivelin 20% në vit

Rritje të nivelit të shërbimit për biznesin

Reduktim i barrierave administrative

Kryeministri

Ulje e TVSH ose përshkallëzim

Ulje e tarifës së sigurimeve shoqërore

Afrim i investitorëve të huaj

Ulje e barrës fiskale dhe administrative

Rritje e kreditimit të ekonomisë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›