E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hidink: Asnjë frikë ndaj Milanit

26/04/2005  Megjithëse Milani cilësohet si skuadra më favorite për të fituar titullin e sivjetshëm të Ligës së Kampioneve, trajneri i PSV-Eindhovenit, Gus Hidink, beson se skuadra e tij pas fitores së titullit në Kampionatin Holandez, do të jetë e suksesshme edhe në arenën ndërkombëtare. “Titulli i fituar në Holandë do t’i japë skuadrës sime shumë zemër për t’ia dalë mbanë edhe ndaj Milanit” – thotë trajneri 58-vjeccar, i cili 17 vjet pas titullit të vetëm të PSV-së në këtë kompeticion, mendon se ky sukses mund të përsëritet sërish. “Ne i kemi të gjitha mundësitë për t’ia bërë të vështirë jetën Milanit, kështu nuk kemi fare frikë prej tyre. Ata janë natyrisht më të fortët, por ne në “San Siro”, mund të marrim një barazim 1-1 apo 2-2” – shton Hidink. Këtë të fundit mbrojtësi i skuadrës, Aleks, e ka quajtur “babain” e suksesit duke u shprehur: “Gus Hidink është një teknik i përkryer, i cili na flet shumë dhe na jep gjithmonë këshilla të mira”. Zhvillimi i jashtëzakonshëm i PSV-së, nën drejtimin e Hidinkut, me të cilin bëri të mundur edhe fitoren e titullit të pestë në historinë e skuadrës, ngjason shumë me sezonin e vitit 1988, kur kjo skuadër fitoi titullin e Ligës së Kampioneve. Edhe atëherë skuadra përbëhej nga shumë lojtarë të rinj, të cilët morën më mbrapa një zhvillim shumë të madh. “Skuadra ime është një përzierje ideale e talenteve të reja me lojtarë që kanë shumë përvojë” – përfundon Hidink.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›