Ançeloti: Surprizat do të rikthehen
22/04/2005 Është mjaft i qetë Karlo Ançeloti, pas fitores ndaj Kievos dhe humbjes së juves, që barazoi përsëri kreun. “Skuadra nuk është shumë brilante, sepse nuk kemi kohë për t’u shlodhur. Aspekti fizik do të ketë një peshë të madhe që tani e deri në fund, por ne jemi mëse të kënaqur që jemi të përfshirë në një vorbull të tillë”, deklaron trajneri i Milanit, i cili analizon edhe situatën aktuale në renditje: “Rezultati që erdhi nga Torino ishte i papritur, që na lejon të rikthehemi në krye. Ne konkluduam shumë pak, në krahasim me lojën që prodhuam kundër Kievos. Ata u mbrojtën shumë mirë në mesfushë dhe ishte shumë e vështirë për Kakanë të kalonte, duke bërë që të haste disa vështirësi në fillim”. Megjithatë, në fund kanë mbërritur 3 pikë tepër të rëndësishme. “Në këtë pikë të sezonit dhe me gjithë këto impenjime, është e vështirë që të administrosh mirë çdo ndeshje. Surprizat do të shtohen akoma më shumë, uroj në aspektin pozitiv për ne”, deklaron Ançeloti, që tashmë duhet të mendojë për sfidën e ardhsme në kampionat, të shtunën kundër Parmës. Edhe një herë, trajneri i kuqezinjve mund të jetë i detyruar të rikompozojë mesfushën, sepse do të mungojë përsëri Andrea Pirlo, ndërkohë që edhe prania e Ambrozinit e Rui Kostës është në dyshim, për shkak të problemeve fizike. Në regi do të jetë përsëri Klaarens Sedorf, autor i një prove të shkëlqyer ndaj Kievos, por Ançeloti shpreson te riaftësimi i Rui Kostës: “Nëse Manuel do të jetë në gjendje të mirë fizike, do të luajë para mbrojtjes. Vendosa të luaj me Serxhinjon në të majtë për të zgjeruar lojën dhe për të dalë pas mbrojtjes kundërshtare, por na duhet patjetër një zëvendës për Pirlon”.