E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trezege: Dua Arsenalin

22/04/2005  “Divorci” midis Juventusit e David Trezegesë bëhet gjithmonë e më i mundshëm, sepse sulmuesi francez ka lëshuar një deklaratë të bujshme për të përditshmen angleze “The Sun”: “Do të ishte një gjë mjaft e bukur të luaja në Premier Ligë. Me Henrinë kuptohem mjaft mirë dhe do të më pëlqente të luaja në një skuadër me të”. Në këtë mënyrë, Juventusi duhet të fillojë përgatitjet për të gjetur zëvendësin e “Trezegolit”, një lojtar që ka qenë një pikë kyçe këto vitet e fundit, por që ka kohë që dëshiron të ndryshojë skuadër dhe kampionat. Largimi i tij, që dukej i sigurtë një vit më parë, kur e kërkoi Barcelona, është shtyrë për këtë verë. Pas problemeve të francezit me dëmtimet duket se qëndrojnë marrëdhëniet e tij të ndera me drejtuesit bardhezinj, të cilët janë të bindur se mund të bëjnë pa të në të ardhmen. Nga ana e tij, Trezege del hapur, duke deklaruar dashurinë e tij për Arsenalin: “Do të më pëlqente të luaja në Angli dhe më saktësisht në një skuadër me Tieri Henrinë, megjithëse nuk do të isha kundër një aventure edhe në kampionatin spanjoll. Nuk do të më vinte keq sikur të luaja edhe në Argjentinë, ndoshta te River Plejti, për ta mbyllur karrierën te Platense, skuadra e vendlindjes sime”. Gazeta britanike pohon se Trezege i ka kërkuar trajnerit të Arsenalit, Arsen Venger, që ta marrë në Angli, për të punuar përsëri së bashku, pas eksperiencës te Monako, vite më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›