E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbështetjen e liderit të PS-së e kemi fituar duke kontribuar

22/04/2005  Andis Harasani: Askush s´më ka bërë dhurata dhe asgjë nuk kam marrë duke hapur depo

Andis Harasani, në një intervistë për “Metropol”, thekson se debatet në PS mes të rinjve dhe të vjetërve nuk janë bërë për të hedhur poshtë kontributin e askujt, por janë për të sjellë një frymë të re. Ndërsa, në lidhje me anëtarët e KOP, të PD-së, Harasani shprehet se dia prej tyre nuk janë të rinj, ndërsa të tjerët nuk kanë qenë të suksesshëm. Në lidhje me kandidimin e tij, Harasani shprehet se është e vërtetë që ka marrë pëlqimin e liderit socialist, por ky pëlqim ka ardhur nga kontributet në administrimin e institucioneve që i janë besuar.

Emri i Andis Harasanit është sulmuar prej opozitës shqiptare, për korrupsion, apo manipulime të ndryshme në KESH, si i vlerësoni këto qëndrime?

Në politikën shqiptare, sulmet e paprincipta janë pjesë e lojës. Kuptohet, se nuk i marr asgjë personale askujt nga opozita. Ajo që me vjen mirë është kur opozita më sulmon, pasi i kuptoj se jam duke bërë një punë të mirë, dhe është pikërisht kjo punë, që nuk e lë opozitën të vijë në pushtet. Kjo tregon diferencat mes atyre që punojnë dhe atyre që vetëm flasin.

Jeni akuzuar për manipulime në fatura në dëm të taksapaguesve...

Nuk mund të them se sa do të ndikojnë këto akuzë në kandidimin tim. Do të jetë vota e popullit që do të caktojë se sa janë të vërteta. Gjithsesi, di të them se, në qoftë se flasim për rënien në qafë të taksapaguesve shqiptarë mjafton të shikojmë sa i paguanin taksapaguesit Buxhetit të Shtetit për të mbajtur në këmbë KESH-in dhe të shikojmë se sa furnizoheshin me energji këta taksapagues, sa pagujanë sot dhe sa furnizohen me energji, faktet janë të qarta dhe gjithkush e shikon se si është furnizimi me energji në çdo shtëpi dhe si ka qenë para pesë apo dhjetë vitesh.

Në politikën shqiptare është vënë re moda e afrimit të të rinjve, nga PS afrohen krerët e administratës, kurse në PD, specialistë të ndryshëm. Si i shikon Harasani këto lëvizje të PD-së me ngritjen e KOP?

Është një gjë shumë e mirë për Partinë Demokratike dhe është një frymë pozitive. Kuptohet, që unë do të bëja disa komente, pasi ka një balancë shumë të madhe mes të rinjve, që ka futur PD-ja dhe të rinjve që ka futur PS-ja. Të rinjve të PS-së u është besuar barra më e rëndë. Kështu i është besuar Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, i janë besuar tatimet, ku vlen të përmendet zoti Petollari, zoti Idrizi, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer. Puna në Bashkinë e Tiranës tashmë njihet dhe kjo është meritë e Edi Ramës. Vlen të përmenden zoti Blushi, ministri Klosi, që kontribuon prej disa vitesh me shumë sukses, Arben Ahmetaj etj. Ndërsa në rastin e të rinjve të PD-së, duke mos quajtur të rinj Gramoz Pashkon, Genc Rulin dhe të tjetrët, në rastin e strukturave të KOP-it është e vërtetë që kanë punuar në administratë. Mendimi im personal dhe mendimi i atyre personave, që unë kam komunikuar, ka qenë se disa anëtarë të KOP-it nuk kanë qenë të suksesshëm në administratë, megjithatë unë i uroj fat dhe do të doja që t’i shikoja si një diçka pozitive vetëm brendapërbrenda Partisë Demokratike.

Cili është komenti juaj për mes të rinjve dhe të “vjetërve” në PS. A ka pasur një konkurim

?

Do të jem shumë i sinqertë. Në qoftë se është bërë luftë, është bërë në Kryesinë e Partisë Socialiste dhe në strukturat e saj. Unë, personalisht, nuk kamë bërë ndonjë luftë me asnjë njeri. Edhe unë dhe Shpëtim Idrizi nuk kemi bërë garë më askënd, sepse kemi marrë zona elektorale, të cilat kanë qenë historikisht zona të Partisë Demokratike. Kështu që nuk di të ketë patur ndonjë luftë edhe në qoftë se ka pasur, ka qenë gjithmonë për mirë, sepse ka qenë kjo luftë, e cila sjell reforma, sjell vetëm ecje përpara dhe jo falsitet.

Po reagimi i të larguarve?

Në rast si i referoheni deklaratës së zotit Xhani, unë atë e kam mik familjar dhe besoj se ai është i lirë të shprehë opinonin e vet kudo që të jetë. Unë personalisht dhe përfaqësuesit e PS-së nuk hedhim poshtë kontributet e askujt. Ndoshta ka ardhur koha për reforma të reja, për një ritëm të ri të këtyre reformave për të mbrojtur të ardhmen.

Jeni zgjedhur si i preferuar i Nanos, apo për shkak të vlerave që mbartni?

Ka disa gjëra. Në radhë të parë, çdo kandidaturë është preferencë e çdo lidershipi të një partie politike, jo vetëm për PS-së, jo vetëm për PD-në, por edhe për partitë e tjera shumë më të vogla. Kuptohet se pa preferencën e këtij lidershipi nuk mund të jesh kandidat. Kjo gjë është e qartë dhe ndodh në të gjithë botën. Ana tjetër është se për shkak të kontributeve që kam dhënë, kam siguruar dhe preferencën e lidershipit. Pa pasur këto kontribute, lidershipi nuk mund të ofrojë mundësinë e kandidimit për shkak të ngjyrës së syve ose për paraqitjen. Ai të vlerëson vetëm në bazë të atyre kontributeve që ke dhënë dhe në vijueshmërinë e reformave të caktuara.

Si synoni të sfidoni kandidatin e PD-së, Shaban Memia?

Ajo që mendoj është se këtë vit fushata ka filluar pak më herët se ç’duhet. Megjithatë, kjo çështje është jashtë forcave të mia. Andis Harasani platformën do ta ndërtojë mbi nevojat e zonës. Unë në këto momente jam duke përfunduar databasin për të gjitha nevojat e zonës numër 36, pasi kam marrë mendimin e rreth 25 mijë banorëve të kësaj zone dhe nga këto probleme dhe çështje që ata i shqetësojnë, unë do të ndërtoj dhe një strategji afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. Ajo që unë do të kërkoj që kjo zonë, e cila është quajtur një zonë informale, do të cilësohet njësoj si qendra e Tiranës.

Cilët janë problemet që ju keni konstatuar dhe si e parashikoni zgjidhjen?

Problemi i energjisë elektrike në zonën elektorale numër 36 do të zgjidhet brenda muajit korrik, problemi i infrastrukturës, problemi i kanalizimeve, problemi i punësimit. Unë kam folur me disa firma dhe shumë shpejt do të hapin filialet e tyre në atë zonë për të sjellë kështu një zgjidhje të këtij problemi. Po ashtu, kam folur dhe me donatorë të ndryshëm, pasi personalisht me eksperiencë jam bankier, kam hapur katër banka në jetën time, kam investuar rreth 600 milionë euro në KESH dhe di si të tërheq projekte për zona të caktuara, apo sektorë të caktuar, dhe di si të thith donatorët. Mendoj se një çështjet tejet shqetësuese dhe e rëndësishme njëkohësisht është dhe çështja e legalizimit. Çështja e legalizimeve është një nga arsyet kryesore që këta të ardhur duhet të votojnë për Partinë Socialiste, pasi kjo parti është ajo që e ka filluar këtë proces dhe duke i dhënë votën PS-së do të jetë parlamenti i ardhshëm i mbizotëruar nga socialistët që do të vendosë për çmimin e tokës. Shqiptarët duhet të votojnë për vazhdimësinë me një ritëm të ri. Të mos votojnë për fillimin e çdo gjëje nga e para. Të votojnë për sigurinë, të mbrojnë të ardhmen e tyre.

Cilat janë synimet tuaja në politik?

Çfarë do të ndodhi më vonë, varet nga rezultati i zgjedhjeve. Ajo që dihet është se unë do të kontribuoj në politikën shqiptare dhe jam i sigurtë që do të fitoj, por edhe në rast se nuk do të fitoj, unë do të vazhdoj të kontribuoj me ato mundësi dhe forca që unë kam. Do të jem i hapur për çdo alternativë të re, kjo vetëm nga Partia Socialiste. Andis Harasani ka shumë synime, por unë jam mësuar që t’i marr gjërat në jetë duke punuar shumë, duke vuajtur shumë dhe duke i marrë një e nga një. Askush nuk më ka bërë dhurata dhe asgjë nuk kam marrë duke hapur depo.

Cila është situata aktuale në KESH?

Ka raste të faturave afrofe, kjo është e vërtetë. Ajo që unë kam bërë në korporatë është që gjatë këtyre viteve kam larguar nga puna mbi 5000 persona. Kam çuar rreth 600 çështje në prokurori. Kuptohet se jashtë çdo logjike që, nuk është drejtori i Përgjithshëm ai që i kërkon faturistit të verë fatura afrofe. Kjo ndodh nga punonjës të papërgjegjshëm, të cilët bëjnë pazare me klube, me bare, me restorante, duke i rënë në qafë qytetarëve. Prandaj kemi hapur disa telefona pa pagesës për të thithur të gjithë denoncimet e qytetarëve, kemi bërë kontrolle të herëpashershme. Vetëm për muajt e fundit kemi bërë mbi 1130 kontrolle dhe fatmirësisht në të gjitha rastet ka pasur të drejtë korporata. Megjithatë, jemi shumë të vetëdijshëm që ka raste faturistësh të papërgjegjshëm, për këtë ne jemi duke i ndryshuar sa më shpesh zonat e faturistëve dhe në korrik në do të fillojmë procedurat për dhënien me koncesion të ndarjes së faturave dhe mbledhjes së parave. Ndërkohë që sistemi më efikas është instalimi i matësave me parapagesë dhe matsa në distancë. Kjo do të evitonte plotësisht rolin e faturistit.

Ju shpesh keni qenë në qendër të akuzave dhe për mungesën e theksuar të energjisë në qytetin e Shkodrës?

Unë jam akuzuar se kam dashur të mbys qytetin e Shkodrës, një nga akuzat që me shumë dëshirë do ta vendos në CV-në time. Në qytetin e Shkodrës, unë kam shkuar më shpesh, sesa ata që më kanë akuzuar për këtë qytet. Investimet në Shkodër për këto tre vite kanë qenë shumë herë më të larta se 14 vitet e marra së bashku. Qyteti i Shkodrës ka probleme me pagesën e energjisë elektrike që konsumon. Për sa kohë që një gjë nuk është mall i babait apo i Andis Harasanit, por i shtetit, unë jam një administrator i një prone shtetërore dhe do të mundohem ta miradministroj sa më mirë që është e mundur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›