E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nevil i shpëton dënimit kapital

22/04/2005  Geri Nevil i ka shpëtuar pa probleme, ndëshkimit shtesë nga Komisioni i Disiplinës së Federatës Angleze të Futbollit, duke u mjaftuar vetëm me një karton të kuq, pas veprimit të turpshëm në “Gudison Park”. Mbrojtësi i Mançester Junajtid ka braktisur fushën e lojës, si pasojë e sjelljes së dhunshme, gjatë pjesës së dytë në takimin kundër Evertonit. Ai në mënyrë krejt të papritur, në shenjë nervozizmi ka hedhur topin drejt tifozëve të pranishëm në shkallët e stadiumit. Ndërkaq, trajneri Sër Aleks Ferguson e ka ndëshkuar sjelljen e mbrojtësit anglez si pa vend dhe ka theksuar se ai “duhet të vepronte ashtu siç i ka hije një futbollisti profesionist”. Incidenti menjëherë ka tërhequr vëmendjen e policisë vendase dhe mbi të gjitha pritej të ngriheshin akuza nga federata angleze për tri ndeshje skualifikim. Në këtë mënyrë, Nevil mund të mungonte automatikisht në takimet kundër Njukasëllit, Çarltonit dhe Uest Bromuiç. Megjithatë, këto pretendime janë hedhur poshtë, pas vendimit të marrë nga zyrtarët e komisionit disiplinor, të cilët nuk do të ndërmarrin asnjë procedurë hetimore për sjelljen e Geri Nevil. Po ashtu policia vendase nuk ka marrë asnjë ankesë kundrejt gjestit të mbrojtësit të Mançester Junajtid, kështu që gjithçka ka kaluar në duart e federatës angleze. Ndërsa, drejtuesit e klubit të Evertonit e kanë deklaruar veten, të tërhequr nga kjo çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›