E Hënë, 2 Nëntor 2026

Juve e "çarmatosur " në Romë

22/04/2005  Bardhezinjtë kanë humbur jo vetëm takimin me Interin, por edhe disa lojtarë të rëndësishëm për ndeshjen me Lacion

Pas euforisë së madhe që pushtoi ambientin për shkak të shkëputjes në krye, tashmë Juventusi është kthyer edhe një herë në tokë, duke u ndëshkuar rëndë nga Interi në “Dele Alpi”. Përveç derbit të Italisë, “Zonja e Vjetër” ka humbur edhe avantazhin prej 3 pikësh ndaj Milanit, por ç’është më e keqja, do të jetë e detyruar të udhëtojë në trasfertën e vështirë të Romës pa disa nga “shtyllat” e skuadrës. Kur mungojnë vetëm 6 ndeshje nga fundi i kampionatit, atmosfera nuk duket shumë optimiste për bardhezinjtë, krejt ndryshe nga pak ditë më parë. Të dielën e ardhshme, Juventusi do të udhëtojë drejt Romës, ku e pret një Lacio që po kalon një moment shumë të mirë, krejt ndryshe nga lojtarët e Fabio Kapelos, që do të zbresin në “Olimpiko” të përgjysmuar nga mungesat. Në radhë të parë, do të mungojë njeriu më në formë i skuadrës dhe i vetmi që di të shënojë rregullisht, Zlatan Ibrahimoviç. Gjiganti suedez ka qenë më i miri në fushë kundër Interit, por njëkohësisht ka qenë shumë i nervozuar, duke u ndëshkuar me karton të verdhë, që ka sjellë skualifikimin e tij për ndeshjen e radhës. Mungesa e tij i hap telashe të mëdha Kapelos, sepse po të llogarisësh edhe mungesën e David Trezegesë, atëherë në dispozicion mbeten vetëm Del Piero e Zalajeta, që në këtë moment nuk ofrojnë ndonjë garanci të madhe. Edhe në mesfushë kanë rënë këmbanat e alarmit, sepse do të mungojë po për skualifikim ganezi Apiah, ndërkohë që ndaj Interit u vu re qartë se Emerson po sakrifikon më shumë sesa mundet në këtë moment, për shkak të dëmtimeve që nuk po e lënë rehat. Vështirë se braziliani mund të përballojë ndeshjen e tretë brenda javës, ndërkohë që edhe Pavel Nedved nuk është më ai i mëparshmi, ndoshta për shkak të dëmtimit të pak kohëve më parë. Përveç këtyre problemeve, ekziston edhe çështja Del Piero, i cili kundër Interit ka luajtur shumë keq dhe duket se zbret në fushë sa për të plotësuar formacionin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›