E Hënë, 2 Nëntor 2026

Teatri Kombëtar, strategjia për sezonin 2005-2006

22/04/2005  Sezoni teatror 2005-2006 do të ketë 6 premiera. Ky vendim është marrë nga drejtoria e Teatrit Kombëtar dhe është njoftuar nga drejtori i institucionit Kiço Londo. "Duke u nisur nga përvoja e së kaluarës së largët, por edhe asaj të afërme nga vërejtjet, sugjerimet dhe këshillimet e artistëve, kritikëve, intelektualëve dhe duke dëgjuar edhe mendimin e lirë të shprehur në tryeza të rrumbullakta, si edhe në shtypin e lirë vendosëm që për stinën teatrore 2005-2006, numri i premierave të jetë gjashtë", deklaroi Londo dje në një konferencë për shtyp, duke shpalluar njëkohësisht edhe zyratarisht, konkursin e hapur për repertorin e stinës së ardhshme. Nga këto 6 vepra TK ka vendosur që një të jetë nga periudha e antikitetit, ku preferohen autorë si Aristofani, Eskili, Euripidi, Plauti, Sofokliu etj., por edhe vepra të autorëve modernë, që kanë marrë subjektet e tyre nga antikiteti, si Anuil, Breht, Frish etj. Një tjetër do të jetë vepër dramatike e periudhës së klasicizmit ose romantizmit, ku preferencat fokusohen tek autorë, si Ben Xhonson, Bomarshe, Gëte, Goldoni, Korenj, Lope de Vega, Ostrovski, Pushkin, Rasin, Shekspir, Shiler etj. Në vend të tretë vijnë veprat dramatike të periudhës së realizmit, ku autorët e preferuar janë Breht, Çehov, Ibsen, O'Neil, Pirandelo, Strindberg, Shou etj. Në dramat bashkëkohore TK ka treguar preferencat e saj ndaj autorëve më të spikatur të shekullit të kaluar si, Beket, Harvud, Ionesko, Kamy, M. Donhag, Miler, Mrozhek, P. Marber, Pinter, Shephard, Williams, Zheri etj. Në qendër të vëmendjes është edhe drama kombëtare nga fondi i shkruar i saj, por ku përfshihen edhe vepra të autorëve shqiptarë, por që banojnë jashtë. Një tjetër vepër dramatike kombëtare do të kërkohet nga autorë bashkëkohorë shqiptarë, e cila preferohet të mos jetë vënë më parë në skenë. "Në rast se cilësia e veprave dramatike bashkëkohore e autorëve shqiptarë, nuk do të përmbush kriteret e nevojshme, që e bëjnë atë të jetë e pranueshme, atëhere do të përzgjidhet një tjetër vepër nga fondi, në mënyrë që në repertor të mos krijohen dizekuilibra dhe drama kombëtare të mos jetë më pak se 30% e totalit të tij", nënvizoi Londo. Ai ka shtuar se edhe raporti midis dramës dhe komedisë do të jetë i ekuilibruar, por rëndësi do të ketë edhe koncepti regjisorial si edhe fakti se sa veprat e propozuara rezonojnë në aktualitetin shqiptar. Të gjitha propozimet, si për veprat e huaja, ashtu edhe ato kombëtare duhet të dorëzohen në drejtorinë e TK-së, deri në datën 30 qershor. Duke theksuar faktin se TK do të vazhdojë rrugën e ndryshimeve të filluara, që kanë për qëllim final hapjen e mëtejshme të tij, Londo shtoi se të gjithë pjesëmarrësit në këtë konkurs, duhet të kenë të qartë dallimet midis veprës dramatike shqipe, veprës dramatike kombëtare dhe Teatrit Kombëtar. Një fakt i cili tërhoqi vëmendjen është se Londo ka premtuar se krijuesit dhe publikut do të njihen me grafikun e të gjitha shfaqjeve, përpara fillimit të sezonit, një premtim që nëse do të mbahet, thyen çdo traditë të institucioneve kombëtare dhe publike shqiptare, të cilat shumë rrallë arrijnë të realizojnë ato ç'ka premtojnë, të paktën në kohë. Një tjetër iniciativë e drejtorisë së TK, është edhe organizimi i Festivalit Teatror Mbarëshqiptar i teatrove profesionistë. Në këtë iniciativë TK, do të ketë edhe mbështetjen e plotë financiare të MKRS-së. Ky aktivitet do të zhvillohet nga data 19 deri 25 shtator të këtij viti, një aktivitet, repertori i të cilit përfshin të gjitha veprat dramatike shqipe, që janë vënë në skenë nga shtatori i vitit 2004 deri në shtator të vitit 2005.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›