Ançeloti: Tashmë kam frikë nga Juventusi
16/04/2005 Karlo Ançeloti nuk është aspak i kënaqur nga eliminimi i Juventusit në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Trajneri kuqezi vazhdon të besojë verbërisht te forca e skuadrës së tij, por beson se tashmë Juventusi duhet konsideruar favorit për fitimin e titullit. “Kualifikimi i Liverpulit më habiti dhe do të kisha preferuar të fitonte Juventusi. Tani, në garën për titull ata do të kenë ndonjë avantazh më shumë. Nuk duhet harruar se takimi i drejtpërdrejtë është në program 4 ditë pas ndeshjes së kthimit të gjysmëfinaleve. Megjithatë, kampionati mund të vendoset edhe para takimit direkt”. Pra, Milani do të luajë më shumë ndeshje se Juventusi, por Ançeloti është i vetëdijshëm se ka një skuadër me shumë alternativa: “Kemi shumë armë në dispozicion dhe do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë të gjitha, edhe pse kam frikë nga tërbimi i Juves. Është një skuadër me një karakter të jashtëzakonshëm dhe është e padrejtë të kritikosh Kapelon”.