E Diel, 1 Nëntor 2026

Stema e prijësve shqiptarët i dorëzohet Muzeut

16/04/2005  Pasi ishte grabitur disa muaj më parë, si pasojë e një gërmimi klandestin, Shërbimi Informativ Shqiptar ka sekuestruar pllakën mesjetare, që mendohet se i takon prijësve shqiptarë. Ndërsa dje, drejtori i Muzeut, Moikom Zeqo, ka bërë deklarimin zyrtar për dorëzimin e këtij monumenti shtetit, pas një urdhri të lëshuar nga ministri i Kulturës, Blendi Klosi

“Luanët” kapen para se të nxirren nga Finiqi. Një pllakë mesjetare e cilësuar si stemë heraldike, dje ka hyrë në fondin e Muzeut Historik Kombëtar në një mënyrë të pazakontë. Pasi ishte grabitur disa muaj më parë, si pasojë e një gërmimi klandestin, Shërbimi Informativ Shqiptar ka sekuestruar pllakën, që mendohet se i takon prijësve shqiptarë. Ndërsa dje, drejtori i Muzeut, Moikom Zeqo ka bërë deklarimin zyrtar për dorëzimin e këtij monumenti shtetit, pas një urdhri të lëshuar nga ministri i Kulturës, Blendi Klosi.

Sipas Zeqos, figura e luanit del në një reliev të shekullit të gjashtë në kishën e Mesopotamit. Bëhet fjalë për një pllakë mesjetare, e cilësuar si stemë heraldike, që jep panoramën e dy luanëve përballë njëri-tjetrit dhe një lapidar në mes tyre, me një mbishkrim të padeshifrueshëm për shkak të dëmtimeve nga koha.

Mbi kokat e dy luanëve bie në sy kurora me gjethe ulliri. Duket paksa e habitshme për një pllakë të një periudhe aq të hershme, të punuar me gur gëlqeror vendës, për faktin e rezistencës aq të gjatë.

“Ka rëndësi të dyfishtë, e para është ajo artistike, sepse është një reliev i bërë me gur gëlqeror vendës, por ka dhe rëndësi shkencore dhe historike, për arsye se kemi një stemë që i plotëson atë që quhet koleksioni i heraldikës mesjetare shqiptare, për të cilën do të bëjmë një pavion në tetor të këtij viti”, tha në konferencën për shtyp drejtori i Muzeut, Zeqo.

Sipas tij, stema heraldike mesjetare mund t’i takojë periudhës para pushtimit turk, rreth shek.XV, së cilës nuk mund t’i bëhet identifikimi i familjes feudale së cilës ai i përket. “Por duhet thënë se zona ku është gjetur ka disa simbole me luanë. Dihet që luani është simbol i pushtetit, sunduesit dhe këtë e kanë pasur familje si ajo e Karl Topisë dhe e Skurajve”, thotë Zeqo. Bazorelievi ishte mbajtur gati një vit i fshehur nga grabitësit dhe më pas i është dorëzuar policisë. Arsyeja e grabitjes kishte si qëllim trafikimin, shitjen jashtë vendit, por përpjekjet kanë dështuar.

“Vetëm nga bashkëpunimi i dy institucioneve, Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës, u bë e mundur që stema t’i dorëzohej Muzeut Historik Kombëtar, për të cilën është bërë një provë verbale”, ka përfunduar Zeqo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›