Henri, mungesa e Arsenalit
16/04/2005 Sulmuesi i Arsenalit, Tieri Henri, për fatin e tij të keq nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Arsen Venger, për sa i takon takimit të sotëm gjysmëfinal, për Kupën FA kundër Blekburnit. Ai ka ndjerë dhembje në fundshpinë, gjatë seancave stërvitore dhe nuk mund të jetë i gatshëm për t’u aktivizuar me “Topçinjtë”. Mungesa e Henri do të jetë një mungesë e rëndësishme për Venger. Nga ana tjetër, pritet që ai të mos e përfundojë fazën e rekuperimit në kohë, për sfidën me Çelsin. “Henri është jashtë planeve tona për takimin me Blekburnin, si pasojë e dhembjeve në fundshpinë, ka thënë trajneri Arsen Venger. Në fakt, ai ka pësuar një inflamacion dhe tani na duhet të realizojmë një kontroll me skaner, në mënyrë që të zbulojmë se për sa kohë do të zgjasë faza e rekuperimit. Ndoshta, mund të duhen disa javë apo edhe disa ditë, por kam frikë se do të jetë një dëmtim serioz. Për ne, mungesa e tij gjatë takimit gjysmëfinal të Kupës FA, mbetet një humbje e madhe. E donim me çdo kusht Tierin për këtë ndeshje, por nga ana tjetër duhet të përqëndrohemi në pikat më të forta. Le të shpresojmë se me kapacitetet tona do të jemi në gjendje të dalim me fitore nga kjo sfidë futbolli”. Po ashtu, Venger ka deklaruar edhe mungesën e mbrojtësit shtatlartë, Sol Kembell, në takimin e “Millenium Stadium” të Kardifit, ndonëse ishte përgatitur së tepërmi gjatë seancave stërvitore të fundit. “Kembell ishte praktikuar mirë dhe pothuajse e kishte përfunduar fazën e rekuperimit fizik, por në fakt nuk do të jetë i gatshëm për t’u aktivizuar në sfidën kundër Blekburnit, ka shtuar Venger. Përveç tyre nuk do të kemi në dispozicion edhe Methju Flaminin, i cili së bashku me Gael Kliçin kanë kohë që nuk po e njohin aktivizimin me Arsenalin”. Ndërkaq, afrikani nga Bregu i Filfishtë, Kolo Ture, si dhe zvicerani Filip Senderos, do të pozicionohen në qendër të mbrojtjes. Mesfushori suedez, Fredi Ljungberg, do të jetë përsëri një titullar i rëndësishëm, ndërsa Hoze Antonio Rejes dhe Edu, pas rekuperimit të plotë, pritet ta nisin ndeshjen e sotme nga pankina.