E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ançeloti: Të gjithë na ëndërrojnë

23/04/2005  Trajneri i Milanit përmbledh situatën, në prag të sfidave vendimtare për titullin dhe Ligën e Kampioneve

Ndeshja e sotme do të jetë e veçantë për Karlo Ançelotin, i cili sapo ka festuar 200 ndeshje në drejtim të Milanit, sepse përballë do të jetë Parma, skuadra që e ka bërë të famshëm si trajner. Brenda tre ditëve, kuqezinjtë duhet të përballen me Parmën dhe PSV-në, por Ançeloti nuk ka frikë: “Është një periudhë e vështirë, por nuk do ta ndërroja me asgjë. Mendoj se çdo trajner do të dëshironte të ishte në vendin tim. Nëse do të donim më pak stres, do të braktisnim ligën e Kampioneve në çerekfinale, siç kanë bërë skuadra të tjera, dhe do të ishim më të qetë”. E ka pranuar edhe vetë Ançeloti: tashmë fillon sprinti final, me duelin në distancë me Juventusin, Ligën e Kampioneve dhe përballjet me skuadrat e vogla, shumë më të vështira se parashikimet. “Nuk është e lehtë të administrosh duelin me Juven, sidomos kur bëhet fjalë për lojtarët, sepse janë të tensionuar dhe është e vështirë t’i përgatisësh ndeshjet siç dëshiron. Megjithatë, jemi të kënaqur me atë që kemi bërë deri tani dhe jemi gati për këtë bast madhështor”, vazhdon trajneri kuqezi, i cili kërkon përqendrim maksimal ndaj Parmës, pavarësisht mungesave të shumta: “Parma është një skuadër shumë më e fortë sesa vendi që ka në renditje dhe do të vijë për fitore. Kemi mungesa, sepse Inzagi nuk është ende gati, po ashtu as Pirlo, ndërkohë që nuk e dimë akoma për Ambrozinin e Rui Kostën. Kemi disa dëmtime më shumë, në krahasim me të kaluarën, por mendoj se do të jemi të plotë kundër PSV-së, të martën. Më parë nuk kishim sulmues, tani nuk kemi mesfushorë, por për fat të mirë i kam të gjithë mbrojtësat gati”. Në lidhje me skualifikimet e Ibrahimoviçit e Totit, Ançeloti eviton komentet, por kritikon sjelljen e disa lojtarëve: “Habitem se si disa lojtarë të rëndësishëm kryejnë veprime të tilla, është me të vërtetë shqetësuese. Kampionë të tillë duhet të përfaqësojnë një imazh pozitiv për publikun dhe të mos bëjnë gjeste kaq të rënda, sidomos në këtë moment, kur gjithçka që ndodh në fushë shihet e rishihet nëpër televizione”. Në mbyllje, dy fjalë për të ardhmen e tij, pas 200 ndeshjesh në stolin kuqezi: “Nuk më besohet që kanë kaluar 200 ndeshje, sepse i mbaj mend të gjitha dhe më duket sikur kam ardhur te Milani dje. Për mua është një pikë nisje, sepse shpresoj të qëndroj shumë gjatë këtu. Kontrata e re? Nuk është e nevojshme, sepse unë e ndjej besimin e klubit”, përfiundon Ançeloti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›