E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia publikon identitetet e trafikantëve të vizave italiane

23/04/2005  Arrestohen dy, operacioni vazhdon

DURRËS – Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Durrësit, kanë bërë të ditur dje emrat e dy personave të arrestuar si të implikuar në vizat (lejet) italiane të punës. Sipas këtyre burimeve, mësohet se në polici janë shoqëruar disa persona, ndërsa janë arrestuar dy prej tyre.

Arrestimet

Në qelitë e paraburgimit, saktësuan burimet, kanë përfunduar 48-vjeçari Jak Djaloshi, banues në bashkinë Manzë të Durrësit dhe 29-vjeçari Klodian Muça, banues në fshatin Mallkuç të Krujës.

Krerët e policisë së Durrësit kanë deklaruar se këta dy shtetas u kanë dhënë disa personave kontratë pune italiane.

Të njëjta burime thonë se shtetasit Aleksandër Djaloshi, Stefan Djaloshi, Naim Gjozi, Elvis Paluda dhe Landi Trokesi, me banim në Durrës dhe Fushë Krujë, pasi kanë marrë garancinë, kanë depozituar në ambasadën italiane dokumentet për të përfituar vizë. Të gjithë këta shtetas, pas denoncimit në prokurorinë e Durrësit nga diplomatët italianë, bëhet e ditur se kanë deklaruar para agjentëve të policisë gjyqësore se kishin paguar nga 3500 euro secili për të marrë kontratën e punës të lëshuar nga administratorët italianë të një regjioni, të cilët mësohet se do të jenë objekt hetimi nga drejtësia italiane.

Verifikimi i dokumenteve nga autoritetet e shtetit fqinj kanë nxjerrë në pah se dokumentet e këtyre shtetasve janë të falsifikuara, gjë që ka shtyrë nisjen e hetimeve për rrjetin e trafikut.

Denoncimi

Arrestimi i këtyre dy shtetasve u bë sespe ata rezultojnë të jenë përfshirë në rrjetin e falsifikimit të dokumenteve. Ka qenë denoncimi i bërë nga ambasada e Italisë në Tiranë, ajo që ka shtyrë prokurorinë të nisë hetimet për mundësinë e ekzistencës së një rrjeti trafikantësh vizash italiane.

Tri ditë më parë, përfaqësues të ambasadës, bëhet e ditur, kanë zhvilluar një takim me drejtues të prokurorisë së Durrësit. Ata kanë lënë në tryezën e organit të akuzës një dosje me emra konkret të të implikuarve, dhe kjo ka mjaftuar që prokuroria të urdhërojë policinë për të arrestuar disa prej organizatorëve të trafikut.

Burime nga prokuroria thonë se shqiptarët kanë depërtuar deri në shtetin fqinj për të implikuar administratorët e atjeshëm dhe ia

kanë arritur qëllimit. Sekserët shqiptarë, dy prej të cilëve të arrestuar, akuzohen se kanë marrë të holla dhe se ato i ndanin me punonjësit italianë, që fabrikonin dokumente fiktive për punësim të shtetasve shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›