E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ançeloti: Titulli varet nga ne

20/04/2005  Trajneri i Milanit nuk duket i shqetësuar nga humbja në Siena dhe shprehet optimist për duelin me Juventusin

Ndryshe nga ç’mendohej, Karlo Ançeloti është mjaft i qetë në prag të ndeshjes me Kievon dhe nuk bën asnjë “gjyq” për humbjen në Siena: “Jemi akoma plotësisht në gjendje ta rregullojmë situatën me forcat tona, pa pritur asnjë nder nga skuadrat e tjera. Si çdo ndeshje, edhe kjo kundër Kievos është shumë e rëndësishme. Na vjen keq për mënyrën si përfundoi ndeshja me Sienën, sepse nuk e meritoni humbjen, por nuk ka përse ta mbajmë mendjen aty, por duhet të shohim përpara. Kievo ka një identitet të qartë, por mendoj se mungesa e Kosatos do të peshojë shumë, sepse ata do të duhet të ndryshojnë mënyrën e zakonshme të të luajturit. Zëvendësuesi i Pirlos? Rui Kosta luajti shumë mirë në Siena, por ka një problem në kavilje dhe nuk është stërvitur, ndaj nuk do të luajë sot. Argumenti i gabimeve arbitrale është trajtuar nga Shevçenko, ndaj nuk dua të merrem më me të”. Më pas, Ançeloti analizon gjendjen e skuadrës: “E kemi ndërtuar kualifikimin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve duke shfrytëzuar topat inaktivë, ndaj nuk ka asgjë anormale nëse pësojmë ndonjë gol në të njëjtën mënyrë. Ne dhe Juventusi? Jemi dy skuadra shumë të ndryshme, secila me karakteristikat e saj. Në Siena skuadra jonë luajti mirë, ndryshe nga ndeshja me Breshian, ndaj nuk mund t’ia vëmë fajin lodhjes nga Liga e Kampioneve. Ndoshta u treguam pak të pavëmendshëm në rastin e golit të parë të Sienës, por nuk dua të harxhoj kohën me komente të tepërta. Kundërshtari u tregua shumë i shpejtë në ekzekutimin e goditjes së këndit dhe ne nuk ishim akoma në vendet tona. Pirlo? Nuk mund ta dimë sot se kur do të kthehet, por po zhvillon një program shumë intensiv riaftësimi. Do të vendosim vetëm në momentin e fundit nëse do të luajë apo jo, por fakti është që situata e Pirlos, pas dëmtimit në gju, po përmirësohet ndjeshëm nga dita në ditë”. Në debatin mbi pikët e lëna ndaj skuadrave të vogla, trajneri i Milanit thotë: “Është e vërtetë që vuajmë më shumë kundër skuadrave që mbyllen në mesfushën e tyre, ndaj duhet të punojmë pak më shumë me lojën nga krahët. Sulmi? Për mendimin tim po funksionon shumë mirë, megjithëse do të doja që Sheva e Krespo të shënonin së bashku, jo njërën ndeshje i pari dhe ndeshjen tjetër i dyti”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›