E Diel, 1 Nëntor 2026

Mançini: Të tregojmë sa vlejmë

20/04/2005  Roberto Mançini, analizon sfidën e sotme kundër Juventusit dhe zbulon një fakt interesant: “Kur isha i vogël, bëja tifozllëk për Juven, por tani dua të fitoj me cdo kusht. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, megjithatë vlen 3 pikë, si gjithë të tjerat”. Trajneri i Interit nuk duket shumë i emocionuar në prag të ndeshjes me bardhezinjtë, ose të paktën nuk e sheh si një rast për të shpëtuar sezonin e dobët të skuadrës së tij: “Ne duhet të bëjmë sa më shumë pikë, që tani e deri në fund të kampionatit. Një fitore në ‘Dele Alpi’ do të ishte shumë e rëndësishme në këtë drejtim. Pastaj, kur luan kundër skuadrave të mëdha si Juventusi e Milani, çdo rezultat është i mundshëm”. Distanca nga kreu është shumë e madhe për skuadrën zikaltër dhe Mançini shpreh gjithë keqardhjen e tij: “Në nivel loje, në përplasjet direkte, nuk ka pasur shumë diferencë me kuqezinjtë e bardhezinjtë. Është e thjeshtë, ata janë nisur shumë mirë në kampionat, ndërsa ne kemi lënë shumë pikë sidomos në javët e para. Megjithatë, sfida e sotme duhet të na shërbejë edhe si një motiv për të treguar se nuk e meritojmë një distancë kaq të madhe me kreun”. Më pas, trajneri zikaltër kërkon të mos mendojë për ndeshjen e sotme si vendimtare në luftën midis Milanit e Juves për titull: “Nuk besoj se do të jetë vendimtare, sepse duhen edhe 7 ndeshje nga përfundimi dhe do të jenë të gjitha të vështira. Milani i ka të gjitha mundësitë t’i rekuperojë 3 pikë, gjithsesi”. Shorti ka zgjedhur si gjyqtar të takimit Morgan De Santis, ndaj Mançini nuk duket shumë i qetë: “Më shqetëson fakti që ky gjyqtar i sjell fat Juves, sepse më duket se bardhezinjtë fitojnë pothuajse gjithmonë me të”, e mbyll konferencën e tij për shtyp Mançini.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›