E Diel, 1 Nëntor 2026

Doli tymi i bardhë!

20/04/2005  Kardinalët në Vatikan zgjedhin pasardhësin e Gjon Pali II

Ka kuptim të plotë fakti që Ratzingeri do të jetë njeriu kyç në kursin e kishës pas Papa Gjon Palit II. Joakin Navarro Valls, zëdhënësi i Vatikanit, ka thënë dikur se zgjedhja e Ratzingerit si kreu i doktrinës ka qenë “një prej vendimeve më personale që Papa Gjon Pali II ka marrë ndonjëherë”

“Të dashur motra dhe vëllezër, pas të madhit Gjon Pali II, kardinalët më kanë zgjedhur mua-një punëtor të thjeshtë dhe të përulur në oborrin e Perëndisë”, tha ai. “E lë veten time në dorë të lutjeve tuaja”, tha Papa

Kardinali Jozef Ratzinger i Gjermanisë, një mbështetës i fuqishëm i doktrinës konservatore, u zgjodh Papa i ri dje në mbrëmje në konklavën e parë të mijëvjeçarit të ri. Ai zgjodhi emrin Papa Benedikt XVII, dhe e quajti veten një punëtor “i thjeshtë dhe modest”.

Ratzinger, i pari Papë gjerman që nga shekulli 11, u shfaq në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit, ku përshëndeti turmën që brohoriste, e cila ishte njëkohësisht e para, që merrte bekimin e tij të parë si Papë. Kardinalët e tjerë, të veshur me rrobat e kuqe të rastit u shfaqën në ballkonet e tjerë duke e ndjekur me sy.

“Të dashur motra dhe vëllezër, pas të madhit Gjon Pali II, kardinalët më kanë zgjedhur mua – një punëtor të thjeshtë dhe të përulur në oborrin e Perëndisë”, tha ai. “E lë veten time në dorë të lutjeve tuaja”, tha Papa.

Ndërkohë, përgjigja nga turma ishte e menjëhershme. Të gjithë nisën të thërrasin “Benedict! Benedict”.

Ratzinger i shërbeu Gjon Palit II, që nga viti 1981 si kryetar i Kongregacionit për Doktrinën e Besimit. Në këtë pozicion, ai i është kundërvënë disidentëve të kishës si dhe ka qenë një prej nxitësve kryesorë të politikave të kishës kundër përpjekjeve për reforma nga ana e liberalëve. Ratzinger mbushi 78 vjeç ditën e shtunë.

I pari që ka dhënë lajmin, ka qenë Radio Vatikan, ndërkohë që Këmbanat në Bazilikën e Shën Pjetrit nisën të kumbojnë së bashku me thirrjet e gëzueshme të dhjetëra mijëra pelegrinëve, që mbushën sheshin. Shën Pjetri nisi të ushtojë “Viva il Papa!”

Këmbanat nisën të bien pas një tymi konfuzues, të cilin fillimisht Radio Vatikan deklaroi se është i zi, por që më pas u vetëkorrigjua, duke shtuar se ishte shumë e vështirë të dallohej. Tymi i bardhë përdoret zakonisht për të shpallur zgjedhjen e Papës.

“Kanë kaluar vetëm 24 orë, një befasi e vërtetë se sa shpejt u zgjodh Papa i ri”, tha Radio Vatikan, duke komentuar zgjedhjen e kreut të ri të Kishës katolike, vetëm pas katër apo pesë votimesh.

Papa numër 265 i Kishës Katolike, Benedikt XVII do të pasojë Gjon Palin II, i cili fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm gjatë një Papati 26-vjeçar, i treti për nga gjatësia në historinë e kishës.

Kardinalët ishin gjendur përballë zgjedhjes, nëse duhej të zgjidhnin një administrator të moshuar dhe të aftë, i cili mund të shërbente si një Papë “tranzicional”, ndërkohë që Kisha absorbonte trashëgiminë e Gjon Palit, apo një pastor më të ri dhe dinamik dhe komunikues–ndoshta nga Amerika Latine, apo ndonjë vend tjetër i botës në zhvillim, ku roli i kishës ka ardhur duke u rritur.

Ndërkohë që Gjon Pali II polak, u zgjodh për të sfiduar sistemin komunist në fuqi në Europën Lindore në vitin 1978, papa i ri përballet me probleme të reja: nevoja për dialog me Islamin, ndarjet mes veriut të pasur dhe jugut të varfër si edhe probleme të brendshme të vetë kishës.

Këta probleme përfshijnë skandalet e abuzimeve seksuale të priftërinjve, të cilat i kanë kushtuar miliona kishës në disa rajone të 2 Shteteve të Bashkuara; si dhe ndaljen e rrjedhës së njerëzve, që i largohen kishës, indiferentë ndaj mësimeve të saj që nuk i konsiderojnë më relevantë.

Autoriteti qëndror i Kishës gjatë kohës së Gjon Palit II u rrit, shpesh herë duke shkaktuar pakënaqësi te peshkopët dhe katolikët në botë. Ndonëse Papa Gjon Pali II zgjodhi të gjithë veç dy kardinalëve, që votuan dje papën e ri, nuk ka garanci që ai do të ndjek të njëjtën linjë si paraardhësi.

Papa Gjon XXIII ishte 77 vjeç kur u zgjodh papë në vitin 1958 dhe ai u pa si një figurë tranzitore, por ishte pikërisht ai që mblodhi Këshillin e Dytë të Vatikanit, i cili revolucionarizoi kishën nga brenda si dhe hapi dialogun me jokatolikët. Papës së ri do t’i duhet gjithashtu të vendosë, nëse duhet të vazhdojë udhëtimet jashtë Vatikanit, një tipar ky dallues i Gjon Palit, që kreu 104 pelegrinazhe në të gjtihë botën.

Tre herë tym i zi

Tymi i zi doli nga oxhaku i Kapelës Sistine, ku ishin mbledhur kardinalët, la fillimisht të kuptohet se edhe këtë herë, procesi i zgjedhjes së kreut të Kishës Katolike nuk do të ishte aspak i lehtë, ndërkohë që u përcoll nga të gjithë si një shenjë se kardinalët nuk e kishin të lehtë për të zgjedhur Papën e ri.

Kardinalët e Kishës Katolike hynë në ditën e dytë të procesit të zgjedhjes së pasuesit të Papës Gjon Pali II, me një votim të dështuar pas krahëve, pasi nuk kishin mundur të zgjidhnin një papë ditën e parë. Të martën në mëngjes, nga oxhaku i Kapelës Sistine doli tym i zi, sinjal ky që ende nuk ishte marrë ndonjë vendim, ndërkohë që e njëjta gjë ndodhi edhe gjatë votimit të dytë të ditës së djeshme. Si ndodhi edhe të hënën, turmat në Sheshin e Shën Pjetrit, që panë tymin tek ngrihej përpjetë, ishin të pasigurta nëse tymi në ngjyrë si gri, ishte i zi apo i bardhë, por kambanat nuk ranë në Shën Pjetër, si do të bëjnë pasi të zgjidhet papa. Për zgjedhjen e Papës duhen dy të tretat e gjithë votave të 115 kardinalëve .

Sfida e Ratzingerit

Fjalët e tij kumbuan si një shkrepëtimë në Bazilikën e Shën Pjetrit. (Ish) Kardinali Jozef Ratzinger, duke iu drejtuar kardinalëve të të gjithë botës përpara se të hynin të hënën për të zgjedhur liderin e ri të kishës katolike: “Po shkojmë”, deklaroi ai, “drejt një diktature të relativizmit... që nuk njeh asgjë të përcaktuar dhe që lejon vetëm egon dhë dëshirat e çdokujt si masën përfundimtare”.

Bota moderne, këmbënguli Ratzingeri, ka kërcyer “nga njëri ekstrem në tjetrin: nga Marksizmi në liberalizëm, deri në libertinizëm; nga kolektivizmi në individualizëm radikal; nga ateizmi në një misticizëm të turbullt fetar e kështu me radhë”.

Këto janë fjalë të forta. Ato garantuan paraprakisht se do të ishte pikërisht Ratzingeri, që do të përcaktonte kursin e ri të Kishës pas Gjon Palit. Pas disa dekadash, shumë katolikë konservatorë do ta shohin luftën kundër “diktaturës së relativizmit” si misionin e tyre qëndror.

Me fjalë të tjera, tashmë Papa Ratzinger ka qenë në qendër të dy rrymave dinamike brenda konklavës. Kardinalëve iu desh të vendosin nëse qëndrimi i tij është i duhuri. Dhe ata vendosën që, pikërisht prioritetet e Ratzingerit përfshinin brenda tyre edhe gjërat që kanë realisht rëndësi.

Ka kuptim të plotë fakti që Ratzingeri do të jetë njeriu kyç në kursin e kishës pas Papa Gjon Palit II. Joakin Navarro Valls, zëdhënësi i Vatikanit, ka thënë dikur se zgjedhja e Ratzingerit si kreu i doktrinës ka qenë “një prej vendimeve më personale që Papa Gjon Pali II ka marrë ndonjëherë”.

Ratzinger është një intelektual brilant, i rreptë i cili ka qenë fillimisht një liberal i moderuar dhe më pas zhvilloi një mosbesim ndaj të majtës, për shkak të protestave studentore në vitet ‘60. Ai ka thënë dikur se “revolucioni i 1968 u kthye në një lloj sulmi ndaj lirisë njerëzore dhe dinjitetit njerëzor, një kërcënim i thellë ndaj gjithçkaje njerëzore”.

Tashmë Ratzinger, ose Papa Benedikt XVII duhet të vazhdojë betejën e tij, pa ndihmën karizmatike të mikut Papa Gjon Pali II. Megjithatë, kardinalët që hynë në Kapelën Sistine, të hënën dhe dolën prej aty të martën, e kanë vendosur tashmë se kush është njeriu që pasi ta marrë stafetën nga Papa i dymijëvjeçarëve, do të çojë përpara Kishën Katolike.

Tymi, një traditë shekullore

Kardinalët në Faltoren Sistinë përdorin një sobë të hekurt dhe oxhakun e saj të ngushtë metalik, për të komunikuar vendimin e tyre botës së jashtme. Tymi i zi do të thotë që votimi ka dështuar në zgjedhjen e një pape; tymi i bardhë do të thotë se kardinalët kanë arritur në në marrëveshje.

Eshtë e paqartë se kur ka nisur realisht tradita, por sinjalizimet me anë të tymit janë përdorur në mënyrë të përsëritur të paktën, duke filluar nga viti 1878. Nuk është se mbahen mend shumë raste kur ngjyrat janë ngatërruar deri në konklavën e vitit 1958, kur kashta e lagur që kardinalët i hodhën zjarrit të fletëvotimeve të tyre të djegura nuk pati efektin e duhur dhe fillimisht tymi ishte i bardhë.

I njëjti lloj konfuzioni u pa pak a shumë edhe dje, kur kësaj here njerëzit ngatërruan pikërisht tymin e bardhë dhe u desh rënia e këmbanave dhe lajmi i radio Vatikanit, që të konfirmohej zgjedhja e Papës së ri. Pas vdekjes së Papës, Vatikani kishte thënë se për të shmangur konfuzionin do të përdoreshin substanca të veçanta kimike. Tymi ka qenë një zgjedhje logjike, sepse tradita e kishës u kërkon kardinalëve, që të djegin fletëvotimet pas çdo votimi, për të ruajtur fshehtësinë e konklavës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›