E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ançeloti: U treguam naivë

16/05/2005  Milani ka barazuar në Leçe dhe i ka thënë pothuajse lamtumirë shpresave për të kapur Juventusin në krye të klasifikimit. Bardhezinjtë janë tashmë 5 pikë larg dhe trajneri kuqezi, Karlo Ançeloti, e përshkruan kështu atë që ndodhi në Leçe: “Bëmë një gabim trashanik kur ishim në avantazh 2 : 1 dhe me një lojtar më shumë. Patëm rastin për ta mbyllur ndeshjen, por u treguam shumë sipërfaqësorë dhe e paguam”. Tashmë kampionati mund të konsiderohet i përfunduar për kuqezinjtë, pasi distanca me Juventusin duket e pamundur të rekuperohet brenda dy ndeshjesh. Por ç’farë nuk funksionoi kundër Leçes, që barazoi kur ishte duke luajtur me 10 lojtarë? “Gabimi më i madh ishte kur nuk arritëm të administronim ndeshjen kur ishim në avantazh dhe me një lojtar më shumë. Gabuam dhe nuk na falet, sepse menduam se ndeshja përfundoi dhe e lëshuam para kohe”. Konan ka ndërhyrë mjaft ashpër ndaj Kakasë, por Ançeloti nuk është shumë i inatosur: “Ishte një faull shumë i rëndë dhe i rrezikshëm, pa asnjë kuptim. Për fat të mirë, Kaka nuk u dëmtua, sepse do të ishte me të vërtetë tragjike në një ndeshje mjaft korrekte, ku nuk ndodhi asgjë e veçantë”. Është kthyer Inzagi nga fillimi: “Luajti mirë për një orë dhe është më i shlodhur se të tjerët. Mendoj se do të jetë i rëndësishëm në këtë fund sezoni”, përfundon Ançeloti. Ndërkaq, Adriano Galiani është i tërbuar për ndërhyrjen e leçezit Konan ndaj Kakasë: “Ishte një ndërhyrje kriminale. Jam i kënaqur që Kaka nuk u dëmtua rëndë, sepse mund edhe të thyente këmbën. Duhet bërë diçka, sepse duhen ndaluar gjëra të tilla, që janë po aq të rënda sa dhuna e tifozëve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›