E Hënë, 2 Nëntor 2026

MILANI DOREZOHET PERFUNDIMISHT

16/05/2005  Milani nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2 : 2 në fushën e Leçes dhe i thotë praktikisht lamtumirë vendit të parë dhe titullit kampion, që tashmë ka marrë rrugën për në Torino. Në Leçe, ndeshja ka qenë shumë më e ndezur se ajo e Torinos, ndërkohë që Milani nuk ka arritur të shfrytëzojë as epërsinë numerike të minutave të fundit, përveç faktit që është gjendur dy herë në avantazh. Milani ka zbritur në fushën e Leçes me mungesa të rëndësishme (Nesta, Sedorf, Krespo, Pirlo), por në kërkim të një fitoreje që do ta mbante të hapur luftën për titull. Kuqezinjtë janë nisur fuqishëm dhe kanë shfrytëzuar mjaft mirë hapësirat e mëdha të mbrojtjes leçeze, ndërkohë që Kaladze ka shënuar golin e avantazhit në minutën e 12-të. Duket gjithçka e lehtë për skuadrën e Ançelotit, por pasi humbet mjaft raste të pastra, befasohet nga i riu Konan, i cili barazon që në minutën e parë të pjesës së dytë. Gjithçka nga e para dhe në minutën e 52-të vjen edhe goli i Andrej Shevçenkos, i cili shfrytëzon mjaft mirë një rrëmujë në zonën leçeze. Por lodhja bën të sajën dhe pas lajmeve që vijnë nga Torino, kuqezinjtë e ulin ritmin. Në minutën e 73-të Konan ndëshkohet me karton të kuq për një ndërhyrje brutale ndaj Kakasë dhe ndeshje bëhet pothuajse një miqësore, me kuqezinjtë që qarkullojnë lirisht topin dhe paraqiten pa problem në portën e Leçes. Megjithatë, Ançeloti mendon për Liverpulin dhe pas Inzagit, nxjerr edhe Andrej Shevçenkon, ndërkohë që në sulm luan i vetëm Tomason. Por fundi është një rast tipik se si mund të hidhet poshtë një fitore e sigurtë, sepse Kaka gabon një rast të pastër i vetëm përballë Siçinjanos, ndërsa në minutën e 82-të vjen edhe barazimi i Leçes me anë të serbit Vuçiniç, i cili shfrytëzon bukur një kros të Valdesit. Leçezët në festë për një pikë që mund të vlejë qëndrimin në Serinë A, ndërsa kuqezinjtë tashmë mund të mendojnë për finalen e Ligës së Kampioneve me një shqetësim më pak, pasi titulli tashmë i përket Juves.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›