E Hënë, 2 Nëntor 2026

Legjislaturat dhe qytetarët në një ekspericë trepalëshe

16/05/2005  Ndoshta atë që nuk arrin ta bëjë politika po përpiqet ta bëjnë organizatat e ndryshme nga shoqëria civile, të cilat po përpiqen të "thithin" poltikanët në iniciativat e tyre. Në këtë kuadër dhe në këtë frymë ishte edhe aktiviteti i organizuar nga fondacioni "Projekti-praktikat parlamentare në Lindje-Perëndim" (EWPPP) e përfaqësuar nga drejtoresha e programit Jill Adler, në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, Qendra për Iniciativë Civile në Bosnjë-Hercegovinë dhe Lëvizjen Evropiane në Serbi. Dike filluar nga data 12 maj në vendin tonë arritën përfaqësues nga OJF-të nga Bosnja- Hercegovina e Serbia, në përbërje të cilëve kishte edhe anëtarë të parlamenteve respektive. Iniciativa e EWPPP, një organizëm i krijuar në vitin '90 dhe që synon të kontribuojë në stabilitetin në të gjithë rajonin e Evropës, duke mbështetur dhe fuqizuar Parlamentin, si një institucion suprem në një shtet demokratik, kryesisht e fokusuar në në vende që ballafaqohen me shumë sfida në procesin e gjatë të tranzicionit, mundësoi këtë vizitë dhe në Shqipëri në kuadrin e një shkëmbimi eksperience tripalëshe, por të fokusuar kryesisht në tematikën "Legjislaturat dhe qytetarët, që synonte fuqizimin e institucioneve demokratike dhe shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor. EWPPP-ja ka një bashkëpunim të gjatë me Parlamentin shqiptar, por edhe me partnerin e tij lokal Qendrën Shqiptare për të Drejtat e Njeriut. Në përbërjen e delegacioneve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, përveç përfaqësuesve të shoqatave jo fitimprurëse ishin të pranishëm edhe paralamentarë të dy vendeve, që mbulonin funksione të larta në parlamentet respektive. Pas disa takimesh me zyrtarë të lartë shqiptarë të parlamentit, Qeverisë por edhe të forcave të ndryshme politike në vend, u organizuar një takim përfundimtar me mediat shqiptare. Që në fillim të takimit ra në sy mungesa e parlamentarve shqiptarë, të cilët ose nuk mundën të prishnin "qetësinë" e fundjavës ose ishin mjaft të zënë me fushatën paraelektorale. Gjatë bisedës me mediat të pranishmit në takim sollën eksperincën e vendeve respektive në lidhje me marrëdhëniet e politikës me median, mbi problemet e multietnizmit etj., por mesa duket politikanët ballkanas kanë të njëjtën formë përgjigjeje, pak teorike... E pyetur nga "Metropol", në lidhje me qëndrimin e Parlamentit serb ndaj çështjes së pavarësisë së Kosovës, Gordana Çomiç u përgjigj se është një çështje që do të zgjidhet nëpërmjet dialogut Beograd-Prishtinë, pavarësisht nga vendimet e organizmave ndërkombëtare. Në kuadrin e shkëmbimit të eksperiencave delegacioni serb dha një shembull konkret, që duhet ndjekur menjëherë, sidomos prej nesh, me një komplet guidash turistike të një cilësie tepër të lartë, me një efekt promovues të jashtëzakonshme, po ku për fat të keq Kosova përfshiheshe brenda territorit serb.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›