Ançeloti: Zherard, je i mirëpritur!
23/05/2005 Duhen edhe dy ditë nga finalja e Ligës së Kampioneve, mes Milanit e Liverpulit, por trajneri milanist Karlo Ançeloti e fillon që tani sfidën, duke ngacmuar kapitenin e skuadrës angleze, Stiven Zherard, të cilin e ka ftuar të vishet kuqezi në rast largimi nga Anglia. “Nuk dua ta shqetësoj Liverpulin duke folur në këtë moment për Zherardin, por do të ishte krejt ndryshe nëse këtë verë do të vendoste të ndryshonte skuadër: është një lojtar i madh dhe do ta prisja krahëhapur te Milani”, ka deklaruar Ançeloti në një nga gazetat e përditshme angleze. Zherard është kapiteni dhe flamuri i Liverpulit: nga viti 1999 është udhëheqësi i pazëvendësueshëm i mesfushës, jo vetëm liverpulase, por edhe të Kombëtares angleze. Edhe zërat e merkatos rreth tij kanë ardhur duke u shtuar nga viti në vit, sidomos në lidhje me një kalim te Çelsi i Abramiviçit. Këtë sezon ka çuar Liverpulin deri në finalen e Ligës së Kampioneve, ku do të ketë përballë pikërisht Karlo Ançelotin. “Është pa dyshim një nga mesfushorët më të mirë në botë dhe natyrisht që çdo klub do të donte ta kishte në gjirin e vet”, është shprehur Ançeloti, pavarësisht se zërat e fundit flasin për një mundësi qëndrimi të Zherardit në Liverpul dhe së shpejti do të fillojnë bisedimet për kontratën e re. Megjithatë, nëse nuk do të gjendej një marrëveshje, mundësitë e zgjedhjes nuk do t’i mungonin.