E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berati – Magji e harruar

23/05/2005  ...plaka të ulura pragjeve të gurtë sokakësh me çelësat e celularët bashkëngjitur trupit. Një kopje çelësi për komshinë, që të marrin vesh në gdhihen gjallë a nuk gdhihen më; djemtë endur, tretur e humbur nëpër Botë; si dhe një pjesë njerëzish që jetojnë në luks e pasuri, e këta janë pak, pasi, sapo njerëzit bëjnë ca lekë, i vidhen qytetit duke e lënë gjithmonë një vend bosh.

Rruga ime është e pangjashme me askënd tjetër. Është e njëjtë me të gjitha rrugët që bëjnë njerëzit, kur i merr malli për qytetin e tyre. Pas dymbëdhjetë vjetësh, sa herë që plotësohet katër - vjeçari i të qëndruarit larg, sipas dimensioneve të largëta që të sjell fjala e gogolëzuar- deputet-, këtë rrugë e bëjnë të njëjtët emra të së njëjtës partizë, asaj që me zor i ndryshon deputetët e këtij rrethi, sikur këta listaxhinj të qenë monumente kulture që mbrohen nga shteti(!?). Rruga ime fillon me një autobuz e këngë monotone sipas shijes së shoferit qejfli, (ta marrsha, ta hëngsha, syrin që ke ti!) e mbaron aty ku, pikërisht, fillon i magjishmi qytet me emrin Berat. Berati, një qytet për të cilin të merr malli sapo i kthen kurrizin. Nisesh prej Tirane, e deri në Lushnje rruga rrëshqet si në vaj. Autostradë. Pasi lë pas varrezën e fabrikës së plastmasit në cep të Lushnjes, me gjithë kancerin e plumbit që kjo varrezë polli, fillon një rrugë të cilës kurrkush nuk po ia qeth asfaltin (stradë pa auto). Është rrugë që po shkon drejt harresës. 120 km në jug të Tiranës, pas kthesës së fundit, aty ku më së fundi janë prishur e thërmuar gazermat e famshe të Zogut, do të ndodhesh në portën e magjishme të një qyteti, të cilit i ka mbetur e paprekur nga gjithçka ka ndodhur këto vite, ajo, e papërsëritshmja, e pandodhura tjetërkund, fisnikëria dhe bukuria, drita mbi një lagje, hija mbi tjetrën përballë, hijeshia e një kështjelle dhe mërmërima e ëmbël e lumit që rrjedh poshtë dritave të pikuara të urës së vjetër kurrizdalë të Gorricës. E mbi të gjitha, fisnikëria e beratasve, të cilët kanë ardhur prej kulture e natyrisht, nuk mund të reflektojnë antiqytetari. Dikur, një turist i huaj do thoshte shprehjen, e cila u ruajt si një krenari shtesë për qytetarët e Beratit : « Po të isha unë, do të kisha ndërtuar një portë në hyrje të Beratit, e do të fitoja shumë, duke lejuar vetëm vizitorë me biletë ». Kurse gjeografi turk që udhëtoi në Shqipëri në vitin 1670, Elvija Çelebi, shprehet në shënimet e tij: “Beratasit janë popull me karakter të butë, dhe të urtë, me edukatë e të drejtë. Nga ky qytet kanë dalë shumë njerëz të shquar e të famshëm si: burra shteti, vezirë, sundimtarë, ministra dhe dijetarë e filozofë. Ndihmojnë njëri – tjetrin e janë misionarë e gjyqtarë të drejtë e të pastër. Populli i Beratit i përket njërit prej fiseve më fisnikë të Shqipërisë”.

Është një qytet që këndon. Veç duhet të dish gjuhën e tij, të ecësh me hapat e tij, të mos gabosh në dashurinë që ai të jep e të merr. Dikur, në hyrje të qytetit, do verboheshe nga muri i trëndafilave kinezë dhe zhurma tradicionale e kombinatit të tekstileve. Pas tij, një uzinë, e pas uzinës, një punishte embëlsirash. Nga 7000 punëtorë që ushqeheshin në barkun e madh të Kombinatit të Tekstileve, tani është katandisur në një kalë gërdallë ku punojnë rreth 50 punëtorë. Po të tjerët, ku shkuan e vanë?! I shtohen listës së të papunëve, e cila shkon rreth 16 mijë njerëz. Çdo koment do të ishte i tepërt përballë kësaj shifre tronditëse. Sado të përpiqesh të bashkosh gjithë mallin, kujtimet me të tashmen, të gjithin, ndoshta nuk do ta shikosh, por arrin t’i marrësh heshtjen e ta përkthesh në gjuhën që ai vetë të mëson.

Ishin mijëra njerëz të punësuar në repartet e kombinatit të tekstileve, vajza të ardhura nga krahina të ndryshme në vitet e para, në fillimin e viteve gjashtëdhjetë, të cilat u bënë edhe nuse në shtëpitë beratase, duke mësuar si përgatiteshin glikotë e famshme e revanitë, qumështori me qumësht, bakllavaja me kajmak, byreku me mish pule, etj. Dhe në kulmin e çdo vere, nga Tomorri, shija e dëborës mbështjellë me fier të gjelbër e aromëmirë, duke na futur deri në kockë shijen e vendit që të mban. Të gjitha i kishte qyteti ynë, veç fiqve të famshëm të cilët morën fund, prej helmeve të rrezatuara të uzinës së baterive, duke i hequr një nga veçoritë e ëmbla e ndjellëse edhe për vizitorët. Akoma rriten ullinjtë kokërrmëdhenj, megjithë hallakatjen e ndërtimet e shtëpive mes ullishtave, ka mbetur jehona e këngëve karakteristike beratase e grupit të pleqëve nëpër gurët e sokakëve, tingujt e zërit magjik të mrekullueshëm të vëllezërve Dushi, meloditë e papërsëritshme të vëllezërve të talentuar Hoxha, të cilët lindnin me muzikë e rronin me muzikë e akoma mbahen brez pas brezi me muzikë, si dhe gjithë të përndjekurit që strehoheshin pas dajakut të asnjëtjetërllojshëm tip diktature. Të gjitha i kishte dhe i shijonte sipas mënyrës së vet. Të kesh fatin e bashkëqytetarisë me një bibliotekë të gjallë, me një njeri që me gjithë burgun, përndjekjen, harresën, të shpiesh në kufijtë e legjendës punën e madhe të Vehxhi Buharasë, do të thotë të jesh i privilegjuar, nëse ke arritur të marrësh pigmente nga kultura që ai i la qytetit të Beratit. Për përkthyesin e veprës “Gjylistani dhe Bostani”, njohësin e shkëlqyer të gjuhëve dhe kulturës arabe, nuk mjafton një paragraf i vetëm në fotografimin e kujtesës së një qyteti. Ishte me fat Berati, në një farë mënyre, sepse gjimnazistëve beratas, matematikën ua mësuan njerëz të shquar në këtë shkencë si: Romano Heqimi dhe Mishel Fundo, aktivitetet artistike u drejtuan nga i talentuari Sheri Mita, të sëmurët vizitoheshin e ndiheshin të shëruar nga të shumërespektuarit dr.Ymer Dishnica, dr. Lluka Muço, dr. Thoma Kondi, dr. Maksut Derrasa, dr. Panajot Boga, dr.Pandeli Çina dhe dr. Kol Axhistasa, farmacisti Anastas Haxhistasa, bujqësia u orientua nga doktori i shkencave bujqësore Nevruz Kafazi, fëmijët lexuan librat e shkrimtarit për fëmijë Ramadan Pasmaçiu, etj. Beratasit morën këshilla edhe nga avokati i mirënjohur Thoma Haxhistasa. Po kështu, Beratit i ka lënë gjurmë udhëve të tij, i papërsëritshmi Kasem Trebeshina, nuk di sa do të vazhdonte kjo listë… më tej, më tej, dhe e gjitha një kulturë, një inteligjencë e ndërsjelltë, por që përfundonte me epitetin: Të përndjekur, të hequr nga Tirana e të sjellë në provincë. Të thjeshtët, të urtët, punëtorët që nuk shkulen dot prej tij.

Akoma pa hyrë në Berat, në krah të djathtë të rrugës automobilistike, një njeri ka sjellë nga kurbeti përvojën dhe fidanët e drurëve frutorë për t’i mbjellë në tokën e vet. “Në bahçen tonë rriteshin shegë sa një kokë njeriu, -thonë vëllezërit Vrapi, - ne u gëzoheshim dhe i ruanim deri në pranverë. Ishim të vegjël, tani mbjellim për fëmijët tanë, por edhe për t’i shitur. Kur erdha nga kurbeti, e di, ç’kam sjellë për fëmijët e prindërit, një arkë me rrush kokërrmadh. E mbajta me kujdes në gjithë udhën e lodhshme. Kisha dhe një trastë me fara e një tufë fidanësh. Toka po ishte këtu. Kemi dardha, mollë, rrush, hurma. Të shohim ç’do të mbjellim më shumë. Po të punosh mirë e ta duash tokën, ajo të shpërblen”. Me pamjen e drurëve frutorë të mbjellë në blloqe të vogla nga njerëz punëdashës, përpiqem të rishikoj efektet dhe pasojat e një politike ekonomike të stisur artificialisht, e cila do t’i nxirrte kthetrat shumë vite më vonë, kur do të kuptonim se nuk ishte mbjellja e pambukut, apo shkulja e drurëve e shpyllëzimi, a soc-revolucioni në prishjen e kishave, vlerave monumentale e kulturore, groteskun e skenave publike të prishjes së fejesave, lumturia e këtij vendi, ku shumica e njerëzve ushqeheshin me bukë të verdhë, të trashë misri, të cilën dhe derrat nuk e gëlltitnin dot. Duke kërkuar gjallërinë e rrugëve të gurta, ndesh në mërmërimën e trishtuar të një vendi të braktisur. Njerëzit kanë krijuar shtresëzime të diktuara nga forma dhe mënyra e re e jetesës (mbijetesës), nga që nuk kanë ku të punojnë; plaka të ulura pragjeve të gurtë sokakësh me çelësat e celularët bashkëngjitur trupit, e një kopje çelësi për komshinë, që të marrin vesh në gdhihen gjallë a nuk gdhihen më; djemtë endur, tretur e humbur nëpër Botë; si dhe një pjesë njerëzish që jetojnë në luks e pasuri e këta janë pak, pasi, sapo njerëzit bëjnë ca lekë, i vidhen qytetit, duke e lënë gjithmonë një vend bosh. Një ish-kryetare bashkie, të cilën do ta kishte model për fisnikërinë dhe intelektin, për sakrificën e përkushtimin e saj çdo qytet tjetër i Shqipërisë, Milika Jahon, do të dëshiroja shumë të takoja në udhën e kthimit. Ajo tashmë është në pension, veç periudha kur ishte në krye të bashkisë, ishte periudhë që kërkonte dorë për të prekur armët (kohë–llahtarie ?!) e natyrisht, pasioni i Damës Fisnike Beratase ishte libri, inteligjenca, toleranca, qetësia, (ajo i dedikoi heshtjen e kulturën e saj fisnike persekutimit të një jete të tërë, kur i merrej nëpër këmbë lumturia familjare), jo arma dhe kallashi i shfrenuar i mendjeve të turbullta të një kohe të mbrapshtë. E pra, ajo nuk e ka braktisur qytetin, për t’u zhvendosur në shtëpi të madhe kryeqytetase, siç projektojnë në përgjithësi gjithë karizmatikët e kryetarët e bashkive, tri ditë pas përfundimit të mandatit.

Sa kanë mbetur të tillë, të pabujshëm, të heshtur, që mbështesin të sigurt brinjët e tyre në qytet!

Kohë e marrë, ç’më sjell në mendje mbrapshtinë e një qyteti, diletantizmin e militantizmin e provincializmin në drejtim e frymëmarrje, që po e përqesh gjithmonë e më shumë fisnikërinë e qytetit të bardhë! Një herë, tentoi Berati të kishte një arkitekt, për kryetar bashkie, por arkitekti nuk arriti të realizonte qoftë edhe një restaurim të qytetit, apo të mbronte vjedhjen e gurëve, me të cilat u ndërtua kalaja, e që sipas dëshmisë së Elvija Çelebit, “...këtyre gurëve u gjendet shembulli vetëm në Khalil el Rrahman, afër Kudsi – Sherifit, në Jerusalem, ose në fortesën e Benderit, që gjendet në breg të lumit Tuta – Turla”, - për arsyen e thjeshtë se e tërhiqte më shumë arkitektura e gardhit personal.

Bindesh që edhe sikur të shkelësh pas pesë vjetësh në këtë qytet, do të shohësh një formë më të thellë braktisjeje. Tashmë, është një pamje krejt e shkretë, një hutim material, i cili të bën të mendosh se po hyn në portat e një qyteti të vdekur, në rrënojat e një qyteti antik.

Një qytet me kufij mortorë, që nis me një kombinat-varrezë e përfundon me një tjetër varrezë, atë të njerëzve, e cila në vitet ’97 u bë vend pelegrinazhi lotësh, dhimbjesh, duke i hedhur qytetit vellon e një zezone që do të merrte përmasa të frikshme e të trishtueshme. Një vit që hapi udhën e gjatë të ikjes, të braktisjes prej qytetit mërmëritës.

I ikën këngët dhe këngëtarët, pikturat dhe piktorët, muzikantët, matematicienët, inxhinierët, i ka ikur rinia. Vështrimi më kap vetëm rrudha e thinja të një qyteti që vërtet ndjen plakjen. Shtëpi të tëra me kartonat : SHITET, një rrjedhje që ka shkaqe të thella, sepse njeriu nuk ngopet dot me dritën e diellit, por do energjinë, do punën, do sigurinë e mirëqenien. Një qytet – azil pleqsh i stërmadh.

Megjithatë, shoqëruesi që nuk të braktis e nuk të lë të gabosh, në meditimin tënd është Osumi, lumi i përjetshëm, për të cilin akoma është gjallë legjenda. Është e natyrshme, ky vend në çdo kafshatë ka një legjendë, sikur të thoshte :

-Unë jam gjallë! E legjendat të trokasin në kujtesë duke të ngarkuar me një mbidozë dashurie e krenarie që të bën të kthehesh pas.

«…Ishin dy djem të dashuruar me të njëjtën vajzë. Njërin e quanin Shpirag, tjetrin Tomorr. Dolën në duel të dy. Tomorri e griu me shpatë Shpiragun. Shpiragu e bëri gropë me gjyle e topa. U vranë me njëri–tjetrin për të njëjtën vajzë, Osumin. U shndërruan në male, vajza nga dëshpërimi u kthye në lumë, i ndau në mes e rrodhi përjetësisht mes tyre. Tomorri hijerëndë e gjithë gropa qëndron në krye, Shpiragu me gjoksin vija-vija bie përfund. Lumi rrjedh (qan) përjetësisht”.

Mes kësaj legjende, mes kësaj dashurie, është ngritur qyteti i rrallë i Beratit. E përmend këtë legjendë, sepse kemi shumë nevojë për një mbushje shpirtërore, kur kthehemi në një rrugë të cilës i kemi ikur prej vitesh dhe gjejmë qytetin të braktisur, të lënë pas dore e të mbetur qyqe vetëm, me magjinë e shtëpive karakteristike. Është qyteti, që banorëve të tij u priti të qarën e parë, duke ua zhytur mes ujrave blu të lumit e duke u lëshuar hijen e rëndë e madhështore të kalasë, duke i bërë fisnikë në tërë qenien e tyre.

Të hysh në qytetin e Beratit pa njohur historinë e tij, pa ditur ditëlindjen, do të thotë të gabosh në perceptimin e shijes që ai të përçon. Gjeografi turk Elvija Çelebiu në vitin 1670, kujtimet udhëtimeve në Azi, Europë dhe Afrikë i përmblodhi në librin «Shih e shkruaj» ose «Përshkrime».

«..Berati ka femra e meshkuj të bukur, - vërente gjeografi turk në 1670-ën, - të pashëm, qeflinj e dashuronjës të zjarrtë, por kurdoherë brenda cakut të edukatës e të moralit». Dashuronjës që duke krijuar trekëndëshin Berat- Fier-Karbunarë, krijuan dhe u ushqyen me tregtinë e mishit të bardhë, duke shndërruar mallkimin e kushedi sa nënave, në vila të bukura e miliona. Një moral i konvertuar në antimoral, që nuk mund ta shkruante dot para 300 vjetësh gjeografi turk.

Duke bashkuar konceptin - ndërkohë - kuptoj si vjen temperamenti i beratasve në kohën tonë, gjithmonë pas përshkrimit të para 330 vjetëve kur dëshmohet nga Elvija Çelebi:- “Djemtë e këtij qyteti shëtitin të armatosur. Ata janë të gjallë e të ndjeshëm, zemërohen shpejt, venë dorën mbi shpatë (mbi kallashë ?!) dhe vërsulen me guxim. (Zoti na ruajtë !) Qyteti është ndërtuar nga ilirët në shekullin e IV-të para lindjes së Krishtit. 12 shekuj pas pushtimit sllav, Berati është quajtur Beligrad, emër i vënë nga sllavët, që do të thotë «Qytet i bardhë», si përkthim me sa duket, i emrit të mëparshëm Pulheriopolis. Duke mos qenë e shqipes, si shumë toponime të tjera, fjala mori trajtat e sotme të emrit «Berat».

Pasi përshkon lagjen “Murat Çelepi”, që njihet me shkurtimin e emrit, Çelepias, të vjen më mirë ta bësh udhën në këmbë, me kujdesin se diku do rrëzohesh, pasi shikimi të mbetet lart, sipër shkëmbinjve ku ngrihet kalaja e Beratit, e ndërtuar mbi shkëmb të egër, në përzgjatje Jug - Veri dhe me dëshminë e një qëndrese të njohur tashmë nga historia. Sapo kalon urën e vjetër të Gorricës, (Gorricë do të thotë mal ose kodër e thatë. -Emër arbëror është Gjon Gjorm - nuk sheh diell), që rënkon e gjora nga makinat e lloj-llojshme që e shkelin sipër, duke ndjerë shkatërrimin e këllqeve (këmbëve) të saj, (nuk e kishin parashikuar ndërtuesit e saj që mbi këtë urë me vlera monumentale do të krrokatnin makina të rënda pa pikë mëshire për moshën e saj) vijnë e radhiten dyqanet si dikur, sipas zanateve, sipas shijeve dhe intuitës së tregtarëve e ndjen ftohtësinë e lagjes, të cilën rrallë e sheh dielli. Ajo është njëra faqe e Beratit, tjetra, “Mangalemi”, ruan me të njëjtën fanatizëm magjinë e rrezatimit të dritës që vjen prej Tomorrit. Tërë këtë kohë të shfaqjes së lloj–lloj instiktesh të sajesës, përfitimit e përçudnimit të vlerave, janë ndërtuar shumë banesa, lokale që i janë ngjitur në trup bukurisë tradicionale, si këpushat në mishin e gjallë e i thithin gjakun (frymën, hapësirën, magjinë) qytetit. Këto ndërtime të prishin sytë, si në lagjen poshtë kalasë, ashtu edhe në Gorricë e gjetkë. Mjafton t’i shohësh e do t’i dallosh menjëherë.

E hipnotizuar prej Beratit hutohesh, fut në kujtesë lëvizjen, gjallërinë dhe zgjatimin në vite e hapësirë të këtij vendi, e mendohesh me të njëjtin merak si mendohet një gjirokastrit, një krutan, apo një shkodran. Pse po i ikin këtij qyteti? Njerëz që e kanë në gjak punën dhe zanatin, të ndodhur të papunë; intelektualë me emër që kanë lënë gjurmë në qytet me punën e veprën e tyre, tani nuk duken kërrkund. Një qytet i deprimuar.

Dhe më duhet të kthehem pa zhurmë. Zhurmën e bëjnë të tjerë mysafirë të përkohshëm që i vijnë këtij qyteti në kohë fushate. E duan për ta kujtuar që ai edhe mund të mbajë sërish të njëjtën hipokrizi, të njëjtat gënjeshta e premtime poetike të të njëjtëve kandidatë, të së njëjtës partizë. A thua, vallë, kaq i dërrmuar është qyteti ynë sa të mos e kuptojë marren që i vjen prej të marrurit nëpër këmbë? Në gabofshin beratasit këtë herë, zoti i gjykoftë! Sepse dhe vdekja kur të vjen, ka lezetin e saj, e ky qytet nuk e ka hak “vdekjen”, nuk e meriton një “amnezi” të tillë paradoksale dhe bufonët e kësaj kohe elektorale që aq shumë u ngjajnë udhëtarëve të shkretëtirës.

Merr rrugën e kthimit nën vështrimin e trishtuar të kodrave me ullinj, të cilave u dhëmbin rrënjët nga themelet e shtëpive me dhe pa asnjë kriter ndërtimi në faqen që zbret në Çelepias, si dhe në lagjen poshtë kalasë, në krah të Mangalemit. Kthej kokën poshtë dhe shikoj e ndjej si gërryhet barku i lumit, ngaqë i kanë vjedhur përgjumjen dhe sakatuar shtratin e tij. As malet nuk e mbrojnë dot Osumin.

Berati, qyteti mërmëritës, braktisur pas një kthese, më ndjek deri në hijen e fundit me vështrimin e tij të bardhë, magjepës, të trishtuar e nuk mund të largohem pa e pyetur, sikur të pyesja vetveten: “Berat, me hiret si mbret, tek ti vijnë e ikin, barku yt mbet’ shkretë!”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›