E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Memento Mori", të gjithë janë të vdekshëm

23/05/2005  I vendosur jashtë "kubave të bardhë" që shpeshherë kufizojnë individin "1/60 Insurgent space" është shndërruar tashmë në simbolin e një hapësire që lëviz vazhdimisht nëpër qytet, duke mundësuar "operacione" artistike nga artistët shqiptarëë, por edhe të ftuar nga vende të ndryshme të Evropës. Të shtrira në pjesë të ndryshme të qytetit, jashtë kontrollit të "kubave të bardhë" këto ndërhyrje "kryengritese" lidhen ngushtë me konotacionet përkatëse historike dhe bashkëkohore të ikonografisë së vetë kryeqytetit. Vetëm pak ditë më parë në këtë kuadër, artisti suedez Henrik Anderssen realizoi performancën "Duke pirë ujë suedez në Tiranë", një performancë me mezashe shumëplanëshe e universale. Ndërsa dje, një tjetër Henrik, po nga Suedia, por me mbiemër Eriksson ka dhën një tjetër "goditje", në zemër të kryeqytetit, përballë vilës së ish-diktatorit Hoxha. "Memento Mori" (të gjithë jemi të vdekshëm), titullohej performanca e ekzekutuar nga Henrik Eriksson në "Charle’s Bistro" (përballë ish-vilës Hoxha). Ky motiv, zakonisht i vizualizuar nga vdekja - një skelet me pelerinë të zezë, që mban në dorë një kosë, është një motiv i hasur shpesh në

historinë e artit, që na kujton se të gjithë jemi të vdekshëm, pamvarësisht se kush kemi qenë në këtë jetë. Artisti Henrik Eriksson kishte zgjedhur të përdorte këtë motiv për një projekt artistik udhëtues (që e realizon në vende dhe kontekste të ndryshme), projektin "Memento Mori", i cili zhvillohet në lidhje me tipare të arkitekturës dhe planifikimit urban. Me synim përzgjedhjen e një ndërtese që do të shërbente si subjekt për punën e tij, gjatë ditëve të tij në Tiranë, Eriksson vëzhgoi mënyrën sesi njerëzit raportohen me arkitekturën që i rrethon. Shumë shpejt ai kuptoi se përzgjedhja e çfarëdo ndëtese, do të kishte pashmangshmërisht ngarkesa politike, dhe për pasojë, projekti i tij udhëtues kur

të realizohej në Tiranë, do të ishte një vepër arti politike. Duke patur parasysh këtë kusht

dhe duke qenë kurioz për të kaluarën jo të largët të vendit, Eriksson vendosi të realizojë projektin "Tirana Memento Mori", me subjekt ish-vilën e Enver Hoxhës. Kjo është një ndërtesë që mbart shumë kujtime dhe përqasje, të cilat duam apo s’duam ne të lidhin me të kaluarën komuniste të Shqipërisë por dhe të vetë asaj ndërtese. Në fakt, kjo shtëpi mund të themi se egziston në një gjendje të ndërmjetme, jo më qendra e pushtetit, por sidoqoftë aspak e "çliruar" nga identiteti i saj i vjetër. Me ndihmën e fotografive të bëra në vend, Eriksson ndërtoi një model të shtëpisë në miniaturë, në dru të butë. Modelit, në mënyrë simbolike iu vu flaka dhe u dogj në mënyrë të kontrolluar, derisa u shkrumbua, duke ofruar kështu një "Memento Mori", për një objekt arkitekturor me shumë histori pas tij. Projekti u kurua sërish nga kuratorja suedeze Joa Ljungberg, e cila është edhe një nga kuratorët e Bienales së Tiranës 3.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›