E Hënë, 2 Nëntor 2026

Perëndia na ruajtë mendtë (e qenve)

23/05/2005  Të kalosh përmes ish-radio stacionit për tu drejtuar nga Ministira e Arsimit e për të vazhduar pastaj nga rruga e Fortuzit, është një ‘proces’ sa i lodhëshëm e marramendës po aq edhe interesant dhe emblematik. Në këtë copëz rrugë gjen gjithçka: fillon me qebabtoren me emrin më domethënës të mundëshem “TYMI”. Kjo qebaptore është një nga ato objekte të rralla ku emri i gjësë dhe vetë gjëja që shenjohet më emrin përkatës janë krejtesisht të njëjtë, gjëja nënkupton emrin dhe emri gjënë. Qebaptorja “TYMI” është krejtësisht e tymtë. Aty disa (ose më mirë shumë) njerëz e shijojnë tymin brenda e disa (shumë) të tjerë aty jashtë në atë dritaren e vogël që vë në dispozicion të të jashtmëve një pjatë me kripë të përzier me piper, për të ngjyer qoftet e tymta. Disa (shumë) të tjerë e shijojnë tymin kalimthi, teksa përpiqen të gjejnë ndonjë copë vend për të kaluar mes burrave që ngjyejnë qoftet në kripë.

Me të kaluar këtë qoshe, të duhet të gjesh një hapsirë të lirë për të kaluar përmes një morie rrobash të shtruara me kujdes nëpër platmasë të gjatë. Një çift burrë e grua, të bëshëm e plotë jetë, së bashku me dy fëmijët e tyre, do s’do ti, të tërheqin vëmedjen duke të të berë të ditur se ti po kalon përmes ca mrekullive të modës më të fundit që s’ka sesi mos të të tundojë, aty do të gjesh “rrobe t’reja kalamojsh”, “kpuc”, “çonta”, “kmisha grash” të gjitha 500 lekë, 1000 lekë (të vjetra) copa. Dhe ti shikon që të gjitha këto janë aty krah teje me të vertetë: kanatjere dhe papuçe bebesh të porsalindura që një grua është ulur në bisht dhe po i sheh me vëmëdje, geta dhe shapka, e këpucë me qafa që po i provon një vajzë po që sapo do ketë mbushur 11 a12 vjeç, xhaketa me vija e kuadrate që po i provon një burrë e që gruaja e këshillon se ajo me vija i rri më mirë etj, etj. Ti shikon se me sa rregull janë ndarë të gjitha artikujt e modës në varësi të llojit të tyre (dy bashkëshortët kanë ardhur në fakt qysh herët në mëngjes për ta kryer këtë detyrë ndarëse, që klintët aty buzë rrugës siç edhe nëpër boutique të mos lodhen më kot por të kërkojnë vetëm atë që u duhet).

Pastaj të duhet të kalosh përmes një kthese të ngushtë aty tek Ministria e Arsimit, dhe duhet përsëri të gjesh një hapsirë për veten tënde midis makinave e motorrëve që disa shkojnë përpra e disa të tjerë ecin mbrapsht. Uuuffffff. E pastaj edhe kryqëzimi i madh i Rrugës se Durrësit ku vetëm rrallë e tek gjen ndonjë polic që të udhëheq trafikun, ndërsa për semaforë është ende herët të flasësh. Pasi kalon kryqëzimin të vjen të thuash “shpëtova dhe kësaj rradhe”. Ndjen me të vertetë një lloj qetësimi se të duket sikur më së fundi mund të merresh pak me veten tënde. Por pa e mbaruar akoma së thëni me veten fjalën ‘shpëtova’ ja tek gjendesh përsëri me pengesa që duhen kaluar: govata të mbushura me peshq të fresket, të vendosur pirg mbi njërit-tjetrin, govatat janë të ndara sipas llojeve të peshqve, një disa peshq të vegjël e në disa të tjera peshqit e mëdhenj. Pastaj tezga të lloj-llojshme me fruta e perime, me erëza e me lule fushash, dhe ty që të duhet që përsëri e përsëri të gjesh rrugën tënde mes shitësve të kujdesshëm të cilët me dëshirën për t’i mbajtur prodhimet të freskëta i vadisin ato orë e çast me disa shishe plastike me tapen të shpuar prej nga del uji me furi. Pastaj përseri të shfaqen edhe një herë plastamasët e mbushur me veshje, përsëri ca familjarë të bëshëm që bëjnë reklamë. Pastaj bulevardi Zogu i Pare në rikonstruktim, PASTAJ… PASTAJ… ETJ, ETJ………………….

Mendo ta bësh këtë rrugë dy-tri herë në ditë, përditë, nuk dihet nëse do të kesh fuqi kur të arrish në shtëpi të dëgjosh e shikosh LAJMET e të jesh në rregull me punën e qytetarit të vëmendëshëm, I cili duhet të përzgjedhë liderët e së nesërmes në varësi të asaj që ata thonë nëpër TV.

Por kot, se të gjitha këto nuk kanë pikë rëndësie apo më mirë pike rëndese sepse të gjitha janë aq të dukshme saqë dalëngadalë kthehen në të padukshme. Një fjalë thotë nëse do të fshehësh diçka mos e fshih por lëre në vendin më të dukshëm, sepse aty s’e gjen njeri.

Shumë e vertetë!

Ja për shembull, çfarë është gjëja më e dukshme – e padukshme që shoqëron në çdo hap kalimtarin, që shoqeron në çdo moment pune të gjithë familjarët e bëshëm e të gjithë vaditësit e frutave-perimeve-luleve-erëzave?

Kush tjetër – Qentë rrugaçë! Në faktë, këta shoqërues të përherëshëm tanët nuk janë rrugaçë, nuk e kanë zgjedhur vetë ata të jenë të rrinë rrugëve, ata janë “rrugorë”, qenë rrugorë.

Qentë rrugorë janë disa qenie shumë domethënëse. Ata kanë ndarë, në sajë të shumë e shumë luftimeve qenërore, territoret e tyre nëpër qytet. Secili prej nesh i njeh qentë e lagjes së vet ose qentë e lagjeve nëpër të cilat ia do puna të kalojë, secili prej nesh i sheh përditë e përditë këto qënie rrugore, i sheh aq rregullisht sa i harron se ata janë aty, mbi ndonjë dyshek të vjetër e të qelbur pranë ndonjë kazani të madh plehrash vendosur përballë ndonjë dyqani mishi, tek sa lëpijnë e lëpijnë pa fund ndonjë kockë qe nuk ka më asgjë për të lëpirë, ose tek sa terheqin zvarrë nëpër rrugë ndonjë lëkurë kafshe të sapo therur për ta çuar në territorin e tyre, mbi dyshekun e vjetër. I sheh aq rregullisht pranë pirgut me rroba të modes së fundit, aty mbi plastmas, pranë govatave të peshkut, sa që harron se ata janë aty, i harron aq plotësisht sa që edhe fëmijët e tu tek luajne në të njëjtat territore që kanë zgjedhur dhe qentë rrugorë harron t’i shohësh që luajnë së bashku me qentë e harruar.

Qentë rrugorë janë absolutisht kudo, të braktisur në punën e tyre! Ata na shoqërojne në çdo hap dhe ne kemi as që na shkon në mendje t’i shohim në sy. Ne nuk shohim sesi qentë e lagjes po bëhen përditë e më të ngjashëm mes tyre: ata po bëhen përditë e më tepër qenër pa qime! Në fillim u zhvishet bishti nga qimet, e pastaj me rradhë të gjitha pjesët e trupit derisa lëkura ju zhvishet krejt? A gjendet dikush vallë që të shpejgojë përse qentë tanë rrugorë po demonstrojnë këtë tipar kaq shqetësues? Përse atyre, të gjithëve pa përjashtim u ka filluar kjo simptomë? Përse ata po bëhen kaq të shëmtuar? Apo askush nuk i ka parë akoma? Nuk i kanë parë vallë as kur plagët e tyre të gjakosura nga të kruarat apo kafshimet thahen në diell?

Pranë fëmijeve tanë që luajnë në rrugë apo pranë ushqimeve që hamë ne bashkë me fëmijët tanë!

Po qentë tanë nuk kanë faj, ata nuk janë rrugaçë, por rrugorë!

Ata janë paradoksi vetë i të dukshmes!

Qentë e lagjes sonë mund të thonë: nga na ka rëne ne të gjorëve të jetojmë në këtë vend! Na duhet të kalojmë makinat të çoroditur, të dergjemi pafund të uritur e të sëmurë, të mos na shohin!

Çfarë do të ndodhte ama sikur qentë tane të urtë të çmendeshin të gjithë, e ka pyetur njeri veten? Të kërkonin shpagim për gjithë indiferencën tonë ndaj të dukshmes? T’ju turreshin me tërbim çdo kujt që do u dilte përpara, çdo kujt që do të guxonte të kalonte në teritorin e tyre? Sikur të ndodhte një çmenduri kolektive qensh rrugorë, tashmë të vendosur të kthehen në qenë rrugaçë? Sikur qentë të bashkoheshin të gjithë në një komplot kryengritjeje ndaj njerëzve indiferentë?

Merre me mend sikur kjo çmenduri qensh të ndodhte psh në 2 korrik, thonë se dielli I fortë është shkaku kryesor i çmendurive, dhe në korrik vërtetë që bën shumë vapë! Njerëzit që do të sulmoheshin s’do të kishin mundësi të votonin të nesërmen. Gara elektorale, së bashku me të gjitha kongreset e me të gjitha harxhimet për të paguar kush e kush sa më shumë këngëtarët që argëtojnë si për kushedi se ç’festë edhe politikanët edhe militantët, analistët e sehirxhinjët, të gjitha do të shkonin kot. Dita e zgjedhjeve do të shtyhej deri në një kohë të papërcaktuar derisa të shërohen plagët e marra nga qentë rrugaçë të tërbuar…

Në raste të tilla duhet thënë “Na ruajt perëndia mendt e qenëve”!

Po kjo është e gjitha fantazi, gjë që s’mund të ndodh. Pa merak se zgjedhjet do bëhen! Nuk i kemi aq të këqinjë qentë e lagjes!

Pastaj ata janë aq të sëmurë e aq të uritur sa nuk kanë më asnjë forcë të çmenden e të kafshojnë! Ata janë të neutralizuar nga lëngata!

Kjo është e vërteta, të tjerat janë fantazi!

Po, por aq më keq akoma!

Zgjedhjet do të bëhen, dikush do të fitojë, qentë do të vazhdojnë të jenë po aq të dukshëm e të padukshëm, po aq pranë nesh dhe fëmijëve tanë, me plagë që përhapin mijra viruse në ajër, teksa thahen në diell.

Aq më keq!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›