E Hënë, 2 Nëntor 2026

Midis pesëmbëdhjetë kamerave rrëfimore

23/05/2005  Vëllimi me tregime i shkrimtares Miranda Haxhia “E verdha e korrikut” (UEGEN 2005), ka pesëmbëdhjetë tregime, të cilat në një lexim të qetë e të thelluar shndrrohen në pesëmbëdhjetë tejqyra të imëta për të kundruar botën frymore të njeriut në segmente kohore të ndryshme – nga diktatura në pos-diktaturë, pesëmbëdhjetë kamera të imëta për të futur në fokus njeriun në orën e tij të ligë, njeriun që rregëtin midis gjakimit për të qënë “diç” dhe shpresës absurde që e çon drejt “hiçit”. Libri hapet me një nga tregimet më të goditura artistikisht që i ka dhënë titullin librit "E verdha e korrikut", një rrëfim-parabolë mbi fatin e një njeriu pa ndonjë identitet e dhunti të veçantë, që edhe zgjedhjen e tij në jetë e ka parathënë, krejt të parashikueshme, edhe pse gjëllon me shpresa se mos ëndrra e tij – martesa me një vashë të re - do t’ia lehtësonte disi ekzistencën e tij kalimtare në kët botë. Por edhe këtë dëshirë dhe të drejtë ( e nivelit riprodhues si e gjithë botës shtazore ) jetimi Fatik Musaku nuk është e thënë ta përmbushë: ndodh gjithçka sipas profecisë së plakës Gjinovefë: - Tridhjetë vjet, katër muaj e gjashtë ditë më parë, plaka Gjinovefë, duke numëruar tespijet e hapur gojën me përtesë, i kishte thënë Elenicës nga Erseka për nipin e burrit të vet që vuante nga zgrebulla që kur kishte lindur: - Gjithë jetën do ta ndjekë një fatkeqësi. ( po, i vdiqën prindërit, të ziut, kishte thënë Elenica.) - Kur të shohë një krimb me dritë të gjelbër, do hyjë në dritën e zezë të errësirës. (Ahha, nuk e di!- kishte pëshpëritur dajesha.) - Kur t’i dalë para një gjarpër a nepërkë, të mos e ngasë, se djalli do ta dërgojë. Kur të mos ketë dritë, kurrë më s’do të lëvizë. Atëhere do t’i shërohet zgrebulla këtij djalke. (faqe 7)

Në fakt, mistifikimi që i bën kodit narrativ Miranda Haxhia fuqizon shfarosjen e alternativave të zgjedhjes. Në këtë botë që po shkretohet vazhdimisht, nuk ka mundësi tjetër zgjedhjeje për një jetim pa farë dhuntie (aq më tepër që e vetmja dhunti, forca dhe rinia, janë larguar të parat nga jeta e tij- fill pas aksidentit) Fatik Musakut i mbetet të zgjedhë atë që i lë me kopraci rastësia (që në strukturën semiotike të rrëfimit nuk është aspak rastësi). Diku në malet e vendlindjes së protagonistit, në një vend tjetër sekret, hapen tunele dhe ndërtohen pallate të nëndheshme për tu strehuar Udhëheqja dhe Shoku… në rast lufte. Fatik Musaku bëhet roja sekrete i këtyre pallateve të fshehta e të zbrazura në male, por të veshura me salltanete mbretërore. Këtu nsi dhe askeza e personazhit, prerja e tij nga pjesa tjetër e gjallë e sociumit. Edhe rroga e majme që merr personazhi shërben në fillim sa për të ushqyer endrrat për një martesë të mundshme me vashën të cilën vagut dëshiron e mandej kur thur endrra për një lumturi të supozuar që nuk vjen kurrë, bëhet shpejt e qartë së rroga e Musakut nuk shërben për asgjë. Paratë e tij janë të pakonvertueshme në realitet, si kundërse gjithë jeta e tij e cila i kalon parasysh në trajta e imazhe shirash, borërash, stinësh e kafshësh të egra. Ai shndërrohet peng i një zgjedhjeje të paracaktuar. Kështu në sytë e tij humbasin peshën dhe kuptimin të parat paratë- sapo vasha e endrrave të tij martohet me një tjetër. Mandej vitet, fiziku, kujdesi për veten gjerkur defragmentizohet kujtesa, vetëdija dhe gjithë qënia e tij vërtitet në tunel, herë si një Teze, herë si një cerber. Fatik Musaku i mbyll ditët e tij në një jermi a kllapi, midis copëzave të kujtimeve dhe sendeve pa lidhje, duke paraqitur një tezë integrimin shembullor të unitetit shpirtëror dhe psikologjik pa qënë në gjendje ta ndajë në është zgjuar a në realitet. Në përgjithësi Miranda Haxhia niset shpesh nga një notë tepër e zakonshme rrëfimi madje ky rrëfim stilistikisht serviret me një intonacion të intimizuar, sikur i rrëfehen lexuesit në vesh, apo sikur sqarohen në një bisedë miqsh momente të diskutueshme nga jeta e aksh të njohuri të përbashkët. Kjo është mënyra më e sigurtë që pa u ndjerë lexuesi nuk i heton dot katet e realitetit që ngjit, deri në hiper-realitet, realitet- metaforë, sikundër ndodh në një grup tregimesh. “E verdha e korrikut”, “Porta e fundit”, “Flamengo e detit”, “Mall”, “E puthura”, “Mëngjesi i fundit”. Një paradigmë tjetër stilistikore më të shtruar, pa pretendime metaforizuese janë tregime te linjës realiste ku mund të veçojmë “Gruaja e ministrit”, “Një grua midis përrallës”, “Për një dasiuri” etj. Ndoshta me pak kujdes mudn të ishin shkurtuar disa fragmente të vogla tek tuk që e flashkin paksa intenstitetin e rrëfimit me hollësira, ose duheshin hequr dy- tre tregime për një homogjenizim më të thukët ët lëndës tregimtare duke fashitur ndonjë notë melodramatizmi. Në tërësi libri me tregime “E verdha e korrikut” dëshmon madje në disa pjesë e fragmente virtuozitet rrëfimor, kolorit dhe detalizime të gjendjeve (zgrebulla tek Fatiku, lyerja e bukës me kolinos tek “Gruaja e ministrit”, kukullat tek “Drithërimë”, kunja e shkrepses tek “Porta e fundit”, por edhe për poezi të mirëfilltë ndërtimore. Një nga gjerat që më ka shkuar ndër mend gjatë leximit ka qënë struktura fabulare disa tregimeve tepër të lakmueshme për filmin artistik, sidomos tregimi “e verdha e korrikut”, “Drithërimë”, “Gruaja e ministrit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›