E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ançeloti përgatit revolucionin te Çelsi

Trajneri italian deklaron se humbja e titullit në Premiership javët e fundit do të ishte dështimi i tij Shtatë yje nga kontingjenti aktual i bluve priten të largohen nga skuadra

Karlo Ançeloti do të bëjë ndryshime rrënjësore te çelsi gjatë verës, pavarësisht trofeve që do të fitojë skuadra deri në fund të sezonit. Blutë kanë shanse të mira të fitojnë titullin dhe e kanë të qartë se duhet të marrin me patjetër tri pikët në sfidën e sotme kundër Stok Sitit. Ndërkohë, londinezët do të luajnë edhe në finalen e FA Cup, më 15 maj në “Uembli” kundër Portsmuthit. Megjithatë, pavarësisht asaj që do të ndodhë gjatë muajit të ardhshëm, Ançeloti ka konfirmuar se për sezonin e ri do të afrojë në ekipin e parë pesë lojtarë nga Akademia. Drejtuesi i stolit në “Stemford Brixh” shpreson gjithashtu se gjatë merkatos së verës do të bëjë edhe të paktën dy blerje. Kjo nënkupton se në total, numri i yjeve të kontingjentit aktual që pritet të largohen do të jetë shtatë. Ançeloti ka bërë të ditur edhe emrat e pesë të rinjve që do të kenë shansin të promovohen: ata janë sulmuesit Fabio Borini e Gael Kakuta, mesfushori Nemanja Matiç dhe mbrojtësit Patrik van Anholt e Xhefri Bruma. Italiani deklaroi: “E vetmja gjë që mund të themi me siguri është se gjatë sezonit të ri, pesë futbollistë të Akademisë do të përfshihen në ekipin e parë. Disa lojtarë të kontingjentit aktual do të largohen. Ky ndryshim nuk ndodh se klubi nuk ka para, por sepse duam të forcojmë ekipet e moshave. Kemi të rinj të talentuar dhe ka ardhur koha që ata të bëhen pjesë e skuadrës, mendoj se i kanë aftësitë të konfirmohen te çelsi”. Ata që pritet të largohen nga lojtarë mbi të 30-ve: Hilario, Paulo Ferreira, Zhuliano Beletti dhe Deko. Ndërkohë, asgjë nuk është vendosur për 28-vjeçarin Xho Kol dhe për 33-vjeçarin Mikael Balak. Mesfushorët do të diskutojnë me drejtuesit rreth kontratave të reja, e nëse nuk gjejnë marrëveshjen, atëherë do të largohen. Ndërkohë, mbrojtësi 22-vjeçar, Mikael Mansien, që aktualisht luan te Volverhempton në formë huazimi, do të lejohet të gjejë një skuadër të re. Ançeloti po studion me kujdes edhe merkaton, pasi çelsi i ka fondet e mjaftueshme për të afruar lojtarët e mëdhenj. Një alternativë është Kaka, i cili ka zhgënjyer në sezonin e tij të parë me Realin e Madridit. Blutë do të ishin të gatshëm të shpenzonin deri në 57 milionë euro (50 milionë sterlina) për mesfushorin brazilian, ose për sulmuesin e Liverpulit, Fernando Torres. Lojtarë që mbahen nën vëzhgim janë edhe Serxho Aguero i Atletikos së Madridit dhe Bastian Shvajnshtajger i Bajernit të Mynihut. Për sa i takon sprintit final drejt titullit në Premiership, Ançeloti deklaroi se ky është sezoni kur çelsi duhet të thyejë dominimin e Mançester Junajtid: “Duhet të fitojmë dhe të ngjitemi sërish në vendin e parë, me një pikë më shumë se Mançesteri. Ky do të jetë një sezon i suksesshëm vetëm nëse fitojmë titullin. Kemi hyrë në momentin më të rëndësishëm të sezonit”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›